Thaçi dhe të tjerët, refuzohen si provë disa deklarime të dëshmitarit të prokurorisë
Lexohet për: 3 min.
seanca-hage-170423
1 vit më parë
Linku u kopjua

Trupi gjykues në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), ka miratuar një mocion të mbrojtjes së Rexhep Selimit lidhur me përjashtimin e disa provave të cilat janë jashtë kuadrit kohor të ngjarjeve që paraqiten në aktakuzë. Sipas trupit gjykues pranueshmëria e këtyre provave do të mund të shkaktojë cenim të padrejtë të të akuzuarve.

Në hapjen e seancës gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë, kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith ka bërë të ditur se sot do të vazhdojë dëgjimi i dëshmitares së mbrojtur, e cila mban kodin W04474.

Ndërsa më pas do të dëgjohet dëshmitari tjetër i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), W02652.

Për këtë të fundit, mbrojtja e Rexhep Selimit, më 6 prill, kishte dorëzuar kërkesën për përjashtimin e dëshmisë për provat që janë jashtë kuadrit kohor të ngjarjeve të paraqitura në aktakuzë.

Kjo kërkesë kishte marrë edhe mbështetjen e mbrojtjes së Thaçit dhe të Krasniqit.

Nga ZPS e kanë kundërshtuar këtë mocion, përmes një parashtrimit të dorëzuar më 12 prill.

Trupi gjykues ka rikujtuar se pala që dorëzon materiale apo paraqet prova duhet të demonstrojë se faktet që kërkon të vërtetojë janë përkatëse për çështjen.

Përmes urdhrit gojor, kryetari i trupit gjykues ka miratuar mocionin e mbrojtjes së Selimit duke thënë se pranueshmëria e këtyre provave mund të shkaktojë cenim të padrejtë të të akuzuarve.

"Pranueshmëria e këtyre provave mund të shkaktojë cenim të padrejtë të të akuzuarve dhe ky informacion i dhënë është i paverifikueshëm. Trupi gjykues miraton mocionin e mbrojtjes së Selimit, nuk lejohet ZPS të bëjë pyetje për incidentet e përshkuara në paragrafin 31623 të materialit. Sa i takon dëshmitarit W02652 duhet redaktuar referencat lidhur me këto sulme nga çdo material që synojnë të paraqesin si prova. Së fundmi palët duhet të dorëzojnë versionet e redaktuara bashkë me parashtrimet e tyre deri të hënën 24 prill 2023”, ka thënë kryetari i turpit gjykues.

Pas këtij urdhri, në seancë private po vazhdon dëgjimi i dëshmitares së parë të ZPS-së, pas së cilës do të vijohet me dëshmitarin tjetër të mbrojtur i cili mban kodin W02652.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po marrin pjesë fizikisht në sallë ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tyre.

Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024