Testimi i tretë i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet ka shkaktuar kolona të gjata e frustrim të madh tek qytetarët që sot ia kishin mësyrë Prishtinës.
Përkatësisht qarkorja njëkahëshe gjatë këtyre ditëve do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve: “Agim Ramadani” nga semaforët pranë ish-mensës së Studentëve e deri te rreth-rrotullimi prapa ndërtesës së Komunës, rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia, rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE, “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore, rruga “Ukshin Hoti” si dhe rruga “Robert Doll”.
Qytetari, Fatmir Krasniqi madje gjithë fajin për këtë tollovi ia hedh kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
“Jemi informuar dhe ma katastrofë kurrë kryetar Prishtina nuk ka pas….nuk ka rrugë…rrugët anësore i ka bllokuar krejt nuk ka asgjë, kjo nuk është zgjidhje, problem për neve, o problem për qytetarët e për të gjithë problem”, theksoi ai.
Tejet i frustruar me pritjet në trafik ishte Ymer Shatri i cili tha se një qarkullim i tillë njëkahor nuk është zgjidhje për Prishtinën.
E Valon Potera thotë se nuk ka qenë i informuar për këtë testim të radhës së qarkores njëkahore në Prishtinë.
Ndonëse shpreson që do të ketë rezultate të mira në të ardhmen, Potera thotë se momentalisht testimi po shkon keq.
Remzi Leskovci nga Prishtina thotë se një qarkullim i tillë është zgjidhje më e mirë për trafikun për Prishtinë.
Por, ai adreson kritika për mungesë të informacioneve për këtë testim.
Halil Halili zyrtar për sinjalizim në komunën e Prishtinës u shpreh se ky testim i qarkores njëkahore do të zgjas 3 ditë. Ai thotë se të gjitha rrugët ku po bëhet testimi janë të sinjalizuara, derisa pret mirëkuptim nga qytetarët dhe ngasësit e veturave.
“Do të zgjas 3 ditë nga dita e premte deri të dielën ku do të jetë njëkahorja në drejtimin siç ka qenë në testimin e kaluar në rrugët aktuale qendrore. Të gjitha janë të sinjalizuara kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët të respektohen shenjat e trafikut rrugor. Ky projekt është për të mirën e komunës së Prishtinë ku bashkë me qytetarët do të bëjmë një test dhe do të jetë një përfundim shumë i mirë dhe i suksesshëm për të realizuar projekte të ndryshme në infrastrukturën rrugore. Tollovi kemi pas edhe ditëve të tjera edhe pa qarkore kemi disa segmente dhe kjo është arsyeja se pse po bëhet një test, që të bëhen analiza në secilin segment dhe udhëkryq, ku do të bëhen investime e ndryshme për zgjerim dhe zgjidhje e alternativa tjera të trafikut rrugor....Është duke u bërë incizimi në kohë reale si me dron apo edhe mjete tjera që janë teknikisht profesionale për analizë“, u shpreh Halili.
“Ne i kemi përcjell me kohë brenda afatit kohor që është njoftuar përmes rrjeteve sociale, mediave....Ka pas informata të mjaftueshme dhe të njëjtën kohë është bërë sinjalistika në kohë të duhur të jetë trafiku sa më i lehtë për pjesëmarrësit në trafik”, tha ai.
Edhe gjatë muajit prill dhe maj në ditët e vikendit ishte bërë një testim i tillë i qarkores njëkahore në kryeqytet. /B.Ibishi/