Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava iu ka bërë thirrje partive politike që fushatën zgjedhore ta zhvillojnë me dinjitet, maturi dhe respekt e larg gjuhës së urrejtjes.
Në mesazhin e tij para festës së Kurban Bajramit, Tërnava tha se më 7 qershor të këtij viti qytetarët e Kosovës do të përballen me një moment vendimtarë për dinjitetin qytetar dhe të ardhmen e vendit.
“...Andaj, iu bëjë thirrje të gjitha forcave politike në vend që fushatën ta zhvillojnë me dinjitet, maturi dhe respekt larg gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes le të garohet me ide dhe vizion dhe përgjegjësi ndaj atdheut sepse sovrani është qytetari dhe vullneti i tij duhet të respektohet mbi çdo interes politik pavarësisht rezultatit Kosova ka nevojë për unitet, bashkëpunim dhe institucione të forta t’iu shërbejnë popullit dhe të mbrojnë të ardhmen e vendit tonë“, tha ai.
Myftiu, Tërnava uroi që festa e Kurban Bajrami të sjellë paqe, harmoni dhe begati në familje, duke bërë thirrje për dialog, solidaritet dhe angazhim për një botë më të drejtë e më njerëzore.“Në këtë natë feste e reflektimi mesazhi i bajramit bëhet edhe më i fuqishëm kur ne zgjedhim paqen para urrejtjes, dialogut para konfliktit dhe humanizimin para interesave që sjellin shkatërrim. Sakrifica dhe solidariteti që simbolizon kjo festë na ftojnë të mos heshtim përballë padrejtësisë, por të lutemi dhe të angazhohemi për një botë më të drejtë, më njerëzore dhe më të sigurt për të gjithë. Në këtë natë bajrami uroj që në familjet tuaja të mbretëroj paqja, harmonia dhe begatia”
Në mesazhin e tij, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava deklaroi se Kurban Bajrami simbolizon paqen, sakrificën, solidaritetin dhe afërsinë me Zotin, duke theksuar rëndësinë e ndihmës ndaj nevojtarëve dhe bashkimit mes njerëzve.
Të mërkurën, më 27 maj 2026 besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin, ndërsa manifestimi është planifikuar të filloj në ora 4:25, e falja e namazit të Kurban Bajramit në orën 5:40./B.Ibishi/