Tërmet me magnitudë 6.2 në jug të Italisë
Lajme
Lexohet për: 1 min.
Dëgjoje me zë...
Tërmet me magnitudë 6.2 në jug të Italisë
Një tërmet i fortë me magnitudë 6.2 u ndje në shumë pjesë të Italisë jugore pak pas mesnatës së 2 qershorit.
Sipas Institutit Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), epiqendra ishte në det, në brigjet e Kalabrisë në Detin Tirren, pranë Belmonte Calabro, në provincën e Kozencës, ndërsa thellësia e tërmetit ishte rreth 250 kilometra.
Lëkundjet u ndjenë në mënyrë të fortë përgjatë bregdetit tirren, si dhe në Napoli, zonën e Vezuvit, Kalabri, Bazilikata, Pulia dhe Sicili, por deri tani nuk janë raportuar dëme, shkruan Euronews, përcjell KosovaPress.
Pas tërmetit, autoritetet e Mbrojtjes Civile kontaktuan komunat më afër epiqendrës, përfshirë Amantea, Cetraro dhe Lamezia Terme, pa marrë njoftime për dëme, ndërsa zjarrfikësit kryen kontrolle përgjatë bregdetit të Kozencës.
Sipas INGV, tërmeti lidhet me zhytjen e pllakës Joniane nën Kalabri, një proces gjeologjik që karakterizon zonën e Detit Tirren jugor. Megjithëse ishte i fortë, thellësia e madhe bëri që energjia të shpërndahej para se të arrinte në sipërfaqe, duke shmangur dëmet.