Forcat speciale të policisë së Shqipërisë kanë ekzekutuar mëngjesin e sotëm (e shtunë) shtetasin Ramiz Muçollari, i cili i armatosur u mbyll në banesën në fshatin Qesarakë të Korçës, ku mbrëmjen e kaluar tentoi të vriste gruan dhe djalin e tij.
62-vjeçari hap zjarr ndaj policisë që mbërriti në vendngjarje. Përgjatë natës, e gjithë zona në fshatin Qesarakë u izolua. Me ardhjen e forcave të RENEA-s, autori vazhdoi të hapte zjarr, duke qëlluar me një mitraloz të lehtë.
Mbrëmjen e kaluar, autori ka tentuar të vrasë gruan dhe djalin e tij. Ai ka qëlluar me thikë bashkëshorten dhe ka tentuar të mbysë djalin.
Pëllumbesha Muçllari dhe djali Kamber Muçllari, aktualisht ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla shprehu mirënjohjen ndaj forcave RENEA dhe atyre të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë për kryerjen e detyrës me përgjegjësi të lartë gjatë gjithë natës së mbrëmshme deri sot në mëngjes edhe në kushtet e kërcënimit për jetën.
“Thirrjeve të Policisë së Shtetit, shtetasi që kërkohej të ndalohej, ju kundërvu me përdorimin e armës ndaj policisë. Në këto rrethana përcaktimet ligjore janë të qarta dhe Policia e Shtetit zbatoi ligjin”, u shpreh Balla.
“Çdo grua, çdo vajzë duhet të ketë besimin se telefonata e saj tek Policia është vendimi i duhur që sjell çlirimin nga makthi dhe fitoren e ligjit mbi padrejtësinë dhe dhunën”, tha Balla.