Sipas Telekomit të Kosovës, reagimi i avokatit të përmbaruesit privat Fisnik Sogojeva dhe “avokatit” tjetër Arben Gashi (Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat), ndaj vendimit të Ministrisë së Drejtësisë, duhet të shqetësojë çdo qytetar të vendit
Sipas kompanisë publike, përmes shkeljeve përmbaruesi ka inkasuar jashtëligjshëm nga Telekomi i Kosovës shumën prej rreth 14 milionë euro më tepër sesa që ishte paraparë me vendimin e Arbitrazhit ndërkombëtar.
U inkasuan me detyrim 14 milionë € më tepër se borxhi real nga Vendimi i Arbitrazhit!
Reagimi i avokatit të përmbaruesit privat Fisnik Sogojeva dhe “avokatit” tjetër Arben Gashi (Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat), ndaj vendimit të Ministrisë së Drejtësisë për pezullimin e përkohshëm të licencës së përmbaruesit privat z. Ilir Mulhaxha, duhet të shqetësojë çdo qytetar të këtij vendi.
Publiku tashmë është informuar se z. Mulhaxha është sjellë si inkasues me çdo kusht i “borxhit” dhe këtë vetëm sipas kërkesave të pronarëve të kompanisë Dardafon. Pra, z. Mulhaxha nuk është sjellë si një përmbarues i vërtetë, i cili duhej të merrte parasysh të gjitha faktet dhe dëshmitë që kanë të bëjnë me pagesat përmes llogarisë bankare dhe të gjitha kompensimet që janë bere sipas marrëveshjeve mes palëve në emër të dokumentit përmbarimor (Vendimit të Arbitrazhit).
Kujtojmë opinionin publik se në vitin 2017, Telekomi dhe Dardafon (Zmobile) kanë nënshkruar marrëveshje për kompensim të borxhit qe ka rrjedh nga vendimi i Arbitrazhit. Sipas kësaj marrëveshjeje, Telekomi i ka dhënë Dardafonit shërbime në emër të kompensimit të borxhit, që ka rrjedh nga vendimi i Arbitrazhit. Vlera mujore e këtyre shërbimeve sipas marrëveshjes është vlerësuar rreth 380,000.00€.
Vlera reale e shërbimeve të dhëna në kompensim ka qenë së paku dyfish më e lartë sesa vlera e llogaritur sipas marrëveshjes së vitit 2017, por që Telekomi e ka përllogaritur vetëm vlerën në baze të marrëveshjes për kompensim të vitit 2017.
Për më tepër, Gjykata Komerciale në vendimin e datës 27/10/2022, këtë shumë të kompensimit e ka vlerësuar si pagesë vullnetare jashtë procedurave përmbarimore dhe e ka lënë në kompetencë të përmbaruesit privat, që përmes ekspertizës financiare ta përfshijë në definimin e obligimeve reciproke të palëve. Përmbaruesi Ilir Mulhaxha ka tentuar që përmes një ekspertize të ngutshme, të njëanshme dhe jo të plotë, të injorojë tërësisht shumën e kompensimit, sipas marrëveshjes së vitit 2017, duke mos e përfshirë fare në kalkulim.
Po ashtu, si pasojë e zvarritjes së procedurave të përmbarimit, që janë zhvilluar si pasojë e gabimeve të përmbaruesit dhe Dardafonit, ka ngarkuar padrejtësisht dhe jashtëligjshëm Telekomin me kamata në vlerë rreth 3 milionë €.
Përmes të gjitha këtyre shkeljeve, përmbaruesi ka inkasuar jashtëligjshëm nga Telekomi i Kosovës shumën prej rreth 14 milionë € më tepër sesa që ishte paraparë me vendimin e Arbitrazhit ndërkombëtar.
Telekomi i Kosovës udhëhiqet nga interesi i publikut dhe ka obligim ligjor të mbrojë pronën dhe paranë publike. Prandaj, është e papranueshme që angazhimet e zyrtarëve të TK në këtë drejtim të cilësohen si personale apo private.
Telekomi i Kosovës nuk do të ndalet asnjëherë që të shfrytëzojë të gjitha rrugët dhe mjetet ligjore deri në kthimin e mjeteve të inkasuara jashtëligjshëm dhe sikurse edhe deri më tani do të ndjekë çdo rrugë ligjore që të vihen para drejtësisë përgjegjësit që po e pamundësojnë, zvarrisin apo devijojnë këtë proces të vënies në vend të drejtësisë.