​Të bashkuar në diversitet, shënohet Dita Evropiane e gjuhëve në Kosovë
Lajme
Lexohet për: 4 min.
BE-260924
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë së bashku me ambasadorët e Austrisë, Belgjikës, Bulgarisë, Finlandës, Gjermanisë dhe Kroacisë në Kosovë kanë shënuar Ditën Evropiane të gjuhëve.

Ata me këtë rast kanë vizituar gjimnazin “Eqrem Çabej” në Prishtinë, ku secili ambasador para nxënësve të klasave të 12-të ka folur mbi rëndësinë e gjuhëve evropiane dhe rëndësinë e tyre kulturore.

Në fund ambasadorët bashkë me stafin e shkollës dhe drejtoreshën komunale për Arsim në Prishtinë, Jehona Lushaku kanë përuruar muralin e trungut të gjuhëve evropiane në gjimnaz, i përkrahur nga Bashkimi Evropian në Kosovë.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë Aivo Orav, para nxënësve ka folur mbi diversitetin e gjuhëve në BE dhe nevojën për të mësuar gjuhë të ndryshme.  

“Ne patëm mundësinë të shkonim në klasa për të biseduar me fëmijët këtu, për të shpjeguar politikën gjuhësore në Bashkimin Evropian dhe gjithashtu nevojën për të mësuar gjuhë të ndryshme. Dhe BE, dua të them, ka një slogan 'Të bashkuar në diversitet'...Në fakt, do të thotë dy gjëra, njëra që ne promovojmë kaq shumë për të mësuar gjuhë të huaja, sepse njohja e një gjuhe tjetër i hap njeriut një jetë tjetër, gjuhë e tretë, jetë e tretë etj. Por ndërkohë, ne jemi shumë krenarë që flasim gjuhët tona. Dhe pata gjithashtu mundësinë t'u shpjegoj studentëve se si funksionojmë në Bashkimin Evropian. Pra, nëse qytetarët e Portugalisë ose Lituanisë duan të komunikojnë me institucionet e BE-së, atëherë ata mund ta bëjnë këtë në gjuhët e tyre. Kështu do të jetë edhe me Kosovën, një ditë do të jeni në BE”, theksoi Orav.

Ndërkaq, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushtaku, tha se shkollat në Kosovë dëshirojnë të jenë pjesë e BE-së për të ndarë vlerat evropiane dhe për të promovuar ato.

Ajo kërkoi ndihmën e BE-së për t’i udhëzuar sesi t’i përmbushin kriteret evropiane në fushën e arsimit, por edhe të ndërtohen ura ndërmjet shkollave dhe sistemit arsimor kosovar me sistemet evropiane.

“Një ditë Kosova, por edhe Prishtina dhe shkollat tona dëshirojnë të jenë pjesë e BE-së për të ndarë vlerat evropiane dhe për të promovuar vlerat evropiane në shkollat tona. Natyrisht, ne i respektojmë gjuhët, sot Kosova edhe në bazë të kushtetutës sonë, ka gjuhë të ndryshme si gjuhë zyrtare, duke respektuar edhe grupet minoritare që i kemi, po ashtu si respekt për këtë dua t'ju falënderoj për prezencën këtu dhe gjithashtu për t'u dhënë mundësinë studentëve dhe nxënësve të shkollës të komunikojnë drejtpërdrejt me ju. Jam e sigurt që në klasat tona keni ndarë disa nga vlerat evropiane të vendeve tuaja dhe shpresoj shumë që të na ndihmoni dhe të na udhëzoni gjithashtu se si të përmbushim kriteret evropiane në fushën e arsimit, por edhe të ndërtojmë ura ndërmjet shkollave tona, sistemit tonë arsimor me sistemet evropiane, dhe gjithashtu ndoshta të ndërtojmë njëfarë bashkëpunimi midis gjimnazit tonë, gjimnazit filologjik dhe ndonjërit prej gjimnazeve në vendet tuaja. Faleminderit shumë dhe gëzuar Dita Evropiane e Gjuhëve”, deklaroi Lushtaku.

Drejtori i gjimnazit “Eqrem Çabej”, Shemsedin Beqiri, u shpreh falënderues ndaj ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, derisa tha se pret që shumë shpejt edhe Kosova t’i bashkohet familjes së madhe evropiane.

“Nga këtu ne e kuptojmë edhe më fort, jo që është hera e parë përkrahjen e fuqishme të BE-së që ka ndaj Kosovës...ku presim bashkë me vullnetin e të gjithë popullit të Kosovës, aq më parë të rinisë së mrekullueshme që kemi që ne siç jemi në trungun bazë të familjes së madhe evropiane të jemi edhe në aspektin politik të përfshirë në BE”, tha ai.

Prej vitit 2001, çdo 26 shtator shënohet Dita e gjuhëve të huaja në Bashkimin Evropian.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024