Takimi i parë me Trump pas zgjedhjeve, Zelensky: Si gjithmonë i vendosur
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Takimi i parë me Trump pas zgjedhjeve, Zelensky: Si gjithmonë i vendosur
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Francës Emmanuel Macron priti sot në Pallatin Elysee presidentin e zgjedhur të SHBA-së Donald Trump, përpara një ceremonie për të shënuar hapjen e katedrales së restauruar Notre-Dame pesë vjet pasi ajo u shkatërrua nga zjarri.

Udhëtimi në Francë shënon rikthimin e Trump në skenën botërore, megjithëse ai është ende një qytetar privat, por po përgatitet të përballet me një sërë krizash ndërkombëtare.

Pallati Elysée njoftoi gjithashtu se Trump do të zhvillojë bisedime trepalëshe në Paris me presidentin francez dhe atë ukrainas Volodymyr Zelensky, të cilët u takuan së bashku me të mbërritur në Pallatin Elysee.

Është udhëtimi i parë i Trump jashtë vendit qe nga fitorja e zgjedhjeve presidenciale dhe mund t'i ofrojë Macron një mundësi të hershme për të luajtur rolin e ndërmjetësit midis Evropës dhe politikanit të paparashikueshëm amerikan, një rol që lideri francez ka gëzuar në të kaluarën.

Trump i tha Macronit se kishin shijuar "sukses vërtet të madh" duke punuar së bashku gjatë mandatit të tij të parë. "Dhe sigurisht duket sikur bota po çmendet pak tani. Dhe ne do të flasim për këtë," vazhdoi Trump.

Ndërsa, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ai pati një "takim të mirë dhe produktiv trepalësh" me Trump dhe Macron.

“Ne të gjithë duam që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe në mënyrë të drejtë”, tha Zelensky në X, duke shtuar se të tri vendet kanë rënë dakord të vazhdojnë të punojnë së bashku.

Zelensky tha gjithashtu për presidentin e zgjedhur: "Presidenti Trump është, si gjithmonë, i vendosur".

Trump dhe Zelensky fillimisht ishin vendosur të zhvillonin bisedime të veçanta të njëpasnjëshme me Macron.

Trump do të bashkohet me dhjetëra liderë botërorë dhe personalitete të huaja në një ceremoni për të rihapur katedralen Notre-Dame pesë vjet e gjysmë pasi ajo u shkatërrua nga zjarri. Trump do të takohet edhe me princin britanik William.

Megjithëse Trump nuk do të betohet si president i SHBA-së deri më 20 janar, ai tashmë ka zhvilluar bisedime me një numër liderësh botërorë dhe anëtarët e ekipit të tij po përpiqen të njihen me një numër në rritje të krizave globale, duke përfshirë Ukrainën dhe Lindja e Mesme.

Zonja e Parë e SHBA-së Jill Biden, gruaja e presidentit Joe Biden, do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në hapjen e Notre-Dame.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025