Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj Qeverisë së Kosovë, për siç thotë ai, sulmet ndaj sistemit të drejtësisë dhe ndaj dikastereve tjera shtetërore.
Tahiri në një postim në Facebook, ka shkruar se këto sulme kanë për qëllim shmangien nga përgjegjësia për varfërimin e qytetarëve.
Sipas Tahirit, këto sulme kanë qëllim që në publik mos të flitet për ngritjen e çmimeve, çmimin e lartë të rrymës, pagat e pensionet e ulëta, bllokimin e investimeve e kapitale, ikjen e rinisë dhe shumë tema tjera.
“Pyetjet që duhet t'i bëhen Qeverisë janë: kur do ta ulni çmimin e energjisë? Kur do t'i rrisni pagat e pensionet? Kur do të përfundojnë rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Gjilan, Prishtinë-Gjakovë, Prishtinë-Mitrovicë dhe pse e ndalët autostradën e Dukagjinit?”, ka shkruar ai.