Tahiri për qeverisjen njëvjeçare të Kurtit: Një vit pas Kosova është në udhëkryq pa vizion, e qytetari më i varfër
Lexohet për: 3 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se është dita e parë e vitit të dytë me qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, ndërsa qytetari i Kosovës është më i pasigurt dhe më i pashpresë.

Tahiri ka ironizuar me qeverinë Kurti II, duke thënë se deklarata populliste ‘Krejt dhe Drejt’ ishte parulla që konfirmon se mungesa e një plani të qartë, është vetë plani i stagnimit.

Në shkrimin e tij në “facebook” Tahiri tha se puna e vetme e mirë e kësaj qeverie është vetëm krijimi i Fondit të Sigurisë.

Postimi i plotë i Tahirit:

Në ditën e parë të vitit të dytë me qeverinë Kurti II, me problemet globale e mosveprimin nacional qytetari i Kosovës, është më i pasigurt dhe më i pa shpresë.

‘Krejt dhe Drejt’ ishte parulla, që konfirmon se mungesa e një plani të qartë, është vetë plani i stagnimit.

Deklaratat populliste, u treten si fluska, kapja, ç’ kapja, avancuan në deklarime qesharake për punësime, shkarkime e ngarkime, me filtera e bojlera, pa ndonjë rezultat.

Një vit pas, Kosova është në udhëkryq pa vizion, e qytetari më i varfër.

Reagimi i vonshëm, e një qeveri e arsyetimeve ka bërë që:

·        Energjia të rritet 100% në kurriz të qytetarit;

·        Derivatet dhe secili produkt ushqimor është rritur në nivele të pa krahasueshme;

·        Përderisa paga në sektorin publik e privat ka mbetur e njëjtë.

Inflacioni ka zbritur e devalvuar vlerën e pagës, e qytetari është vënë në pasiguri e panik;

Politikat e Qeverisë nga veprime kanë mbetur në fraza shfajësimesh e bartje përgjegjësish, ndërkaq vendimmarrja i ngjason logjikës, ‘mos vepro, pengo, sepse e gjejmë fajtorin’.

Institucionet e pavarura dhe ato qeveritare, kanë vendosur kriter ç ’kapje e profesionalizmi, mbishkrimin e rrjeteve sociale ‘Krejt dhe Drejt’.

Në rrafshin ndërkombëtar Kosova ka ulur kredencialet, me komunikim të gabuar, e mos besueshmëri ndaj partnerëve.

Raporti me ShBA është dëmtuar dukshëm, ndërsa pozicioni ynë me vendet e BE-së është në pikën më të ulët që ka qenë ndonjëherë.

Dialogun e trajtojmë në nivel të teknikëve, ndërsa raportin me Serbinë e trajtojmë prej teme në temë, sikurse rasti i mbajtjes së zgjedhjeve më 3 prill. Ndërkaq, arritja e marrëveshjes finale, që përmbyllet me njohje, duket i pa qartë.

Nëse pyet dikush cila është puna e vetme e mirë e kësaj qeveria, lehtësisht e dimë se është krijimi i Fondit të Sigurisë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024