Gjykata lë në fuqi masën "arrest në burg” për kryebashkiakun Veliaj
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
gjykata
2 orë më parë
Linku u kopjua

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GJKKO), pas një seance të gjatë disa orë, ka lënë në fuqi masën "arrest në burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Në një njoftim nga GJKKO-ja thuhet se në seancën e sotme është vendosur vazhdimi i masës së sigurimit “arrest në burg” për kryebashkiakun Veliaj, transmeton Anadolu.

Për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa, gjykata ka ndryshuar masën nga “arrest në shtëpi” në “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Në kudër të këtij hetimi, ndaj një biznesmeni është vazhduar masa "arrest në burg" dhe ndaj disa biznesmenëve të tjerë po ashtu është lënë në fuqi masa "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore".

Sipas GJKKO-së, kundër vendimit të sotëm mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ndërkohë, gjatë mbërritjes së Veliajt dhe bashkëshortes së tij në gjykatë dhe gjatë seancës, dhjetëra mbështetës të kryebashkiakut të Tiranës u mblodhën para ambienteve të GJKKO-së, në shenjë solidariteti me të.

Arrestimi i kryebashkiakut Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar më 10 shkurt, i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, është e dyshuar për korrupsion, pastrim parash dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Kujtojmë se në Shqipëri janë organizuar për muaj me radhë protesta për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës" dhe me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj.

Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015, ndërkohë ka mbajtur post edhe në Qeverinë e Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025