Tahiri: Nuk duhet të vihet në pikëpyetje bashkëpunimi 20 vjeçar me SHBA-të
Lexohet për: 3 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mos ta vë në pikëpyetje bashkëpunimi 20 vjeçar me Shtetet Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, opozita nuk po kërkon zgjedhje, por zgjidhje të problemit të shkaktuar tash e disa ditë në veri.

“Prandaj, iu kërkojmë vigjilencë, angazhim, përkushtim që të vazhdoj puna e Policisë së Kosovës në veri të vendit,  që të vazhdoj puna e Prokurorit të Shtetit në veri të vendit, që të vazhdoj puna e gjyqtarëve në veri të vendit. Kordinimi me SHBA  është një prej proceseve që i ka dhënë më së shumti fryte dhe fuqizimin e  shtetit të Kosovës, nuk na  duhet konfrontim me SHBA. Si rezultat i një angazhimi të tyre kemi arritur me fuqizua shtetin tonë, kemi arritur njohjet tona....gjithë këtë histori të përbashkët 20 vjeçare me SHBA nuk duhet a vënë në pikëpyetje, si opozitë nuk kërkojmë zgjedhje, si opozitë kërkojmë zgjidhje të problemit të cilin e keni shkaktuar tash e disa ditë në veri të Kosovës. Si opozitë nuk do të tolerojmë në asnjë rrethanë dhe asnjë moment që të tërhiqeni nga ushtrimi i sovranitetit të qeverisë së Kosovës edhe në atë pjesë të vendit tonë. Sot duket qartë se ajo pjesë kontrollet nga një numër simbolik i Policëve, nuk funksionon gjyqësori, nuk funksionon prokuroria”, tha ai.

Ai shtoi se opozita mbështet Qeverinë për të ushtruar sovranitetin e saj në veri, por kërkoi që Qeveria të jetë përgjegjëse dhe të mos lejojë kthimin e strukturave paralele në këtë pjesë të vendit.

“Ka qenë një angazhim i yni i përbashkët për largimin e strukturave paralele dhe strukturave të cilat financoheshin nga Beogradi, largimin e strukturave të cilat një kohë mbështeteshin nga Tadiq  e më vonë nga Vuçiqi, kemi pamundësua funksionimin e kriminelëve  që mbështeteshin nga politika serbe  siç ishin Veselinoviq dhe Radoiqiq, njerëz të cilët  pikërisht për shkak të sundimit të rendit dhe ligjit nuk mund të qëndrojnë në atë pjesë të Kosovës. Andaj, e nderuar Qeveri e Kosovës si opozitë iu mbështesim edhe sot e kësaj dite që të vazhdoni me funksionimin e punës  së institucioneve që sapo i përmenda në atë pjesë të Kosovës. jeni përgjegjës për moslejimin e kthimit të gjendjes para korrikut të vitit 2011, jeni përgjegjës për mirëmbajtjen dhe ushtrimin e sovranitetit të Kosovës edhe në atë pjesë të vendit tonë.  Jeni përgjegjës për mos lejimin e kthimit të strukturave paralele në atë pjesë të vendit tonë. Prandaj, ne do t’iu mbështesim deri në atë moment kur ju nuk do të heqni dorë nga ajo pjesë e territorit të Kosovës, të cilën me mund e sakrificë, me dialog, me politikë e angazhim tonin e kemi kthyer nën menaxhimin dhe udhëheqjen e institucioneve të Republikës së Kosovës”, theksoi ai. /B.Ibishi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024