Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, thotë se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të diskutohet me Serbinë. Ai thekson se çdo iniciativë që Qeveria e Kosovës e ndërmerr në këtë drejtim duhet të jetë në përputhje me rendin Kushtetues të Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin në vitin 2015.
Tahiri për KosovaPress, akuzon kryeministrin Kurti se fshehurazi dhe në mënyrë tërësisht jo transparente po punon në zbatimin e marrëveshjes me Serbinë.
Sipas tij, Kurti e solli një marrëveshje me Serbinë që nuk ka njohje reciproke.
Në anën tjetër, Tahiri, nënvizon nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve në veri, megjithëse akuzon Kurtin se e ka sjell veriun e vendit në gjendje të mjerueshme.
Ai përgjegjësinë për vonesat e miratimit të projektligjeve ia adreson vetëm mazhorancës, pasi thotë se opozita nuk mund t’ia bëjë numrat pushtetit.