Tahiri i AAK-së kërkon revokimin e vendimit për barnatoret
Lexohet për: 2 min.
1 . Besnik Tahiri 2022 (1)
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se vendimi për barnatoret duhet të revokohet pasi sipas tij, më së shumti i atakon pensionistët dhe të moshuarit. Ai në një postim në Facebook ka thënë se barnatoret e vogla nuk janë të furnizuara mjaftueshëm dhe po krijohen radhë të gjata për t’u furnizuar me barna.  "Çfarë logjike ka një vendim i tillë, i cili detyron një të moshuar të lëvizë prej “Dardanisë” deri te rruga B, për t'u pajisur me medikamente. Shtoja këtu edhe faktin se shumica e barnatoreve të vogla nuk janë të furnizuara sa duhet dhe radhët e gjata të cilat duhet të pritet. Kjo është hera e dytë që e adresoj të njëjtin problem, i cili është bërë barrë e madhe e qytetarëve të Prishtinës, në veçanti pensionistëve, të moshuarve dhe pacientëve. Ky vendim është skandaloz dhe duhet të revokohet," ka thënë Tahiri. 

Në shtator 2023, me shumicë votash Kuvendi Komunal i Prishtinës pati miratuar rregulloren për orarin e kujdestarisë së barnatoreve në kryeqytet. “Orari i kujdestarisë së natës për barnatore është prej orës 21:00 deri në 07:00, kujdestarojnë pesë barnatore në gjithë kryeqytetin. Gjobiten me nga 300 deri në 1000 euro personi fizik dhe nga 1000 deri në 3000 euro personi juridik, nëse nuk i përmbahen orarit të përcaktuar”, thuhej në njoftim. Oda e Farmacistëve të Kosovës pati falënderuar Komunën e Prishtinës për vendimin mbi kujdestarinë e barnatoreve duke thënë se rregullimi i orarit 24-orësh është i rëndësishëm për shkak të sigurisë së pacientëve, mirëqenies së punonjësve, bilancit punë-jetë private, efikasitetit dhe produktivitetit. Ndërsa Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale pati reaguar pas vendimit të Komunës së Prishtinës që të vendoset kujdestari për barnatoret dhe në rast se nuk respektohet orari ato të gjobiten, duke thënë se rregullorja nuk ka bazë ligjore.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025