Ekipi olimpik që mori pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin tashmë është kthyer në Kosovë.
Skitari Albin Tahiri dhe skitarja Kiana Kryeziu e përfaqësuan Kosovën në garat e sllallomit të madh dhe lëshim alpik.
Me të zbarkuar në aeroportin "Adem Jashari" , të dy skitarët deklaruan se janë ndjerë krenar që e përfaqësuan Kosovën në një garë kaq të rëndësishme.
17 vjeçarja deklaroi se për atë ishte një eksperiencë e pa harruar duke falënderuar të gjithë kosovarët për pëkrahjen që i kanë dhënë
Ajo shtoi se është ndarë shumë e kënaqur me rezultatin e saj të arritur në Lojërat Olimpike Dimërore dhe se ishte nder i veçantë për ta përfaqësuar Kosovën si femra e parë në këtë garë.
“Kam qenë shumë e kënaqur me rezultatin që e kam arritur për shkak se siç e dini në sportin tonë nuk ka kategori të moshave as të peshave siç jemi mësuar në xhudo apo në sporte të tjera. Për mua thjeshtë të jem në të njëjtën garë me idhujt e mi edhe të garoj me to thjeshtë është një nder shumë i madh. Gjithashtu është edhe një ndër historik për ta përfaqësuar Kosovën si femra e parë në Lojërat Olimpike Dimërore”, tha ajo.
“Po ndihem mrekullueshëm, siç kam thënë gjithmonë është krenari për mua që ta reprezantoj Kosovën. Unë jam shumë kranar me rezultatet më të mira, jo vetëm për Kosovën por edhe për mua. Jam shumë i lumtur me rezultatin. Kësaj here nuk isha vetëm por me kolegen dhe ishte shumë kënaqësi te jem atje së bashku me të...Për Kianën ndoshta ishte pak stresuese sepse ishte hera e parë ndërsa për mua pak a shumë isha mësuar tashmë dhe mendoj që herën tjetër ndoshta edhe më mirë”, tha Tahiri.