Në ditën e fundit të mandatit të tij në Kosovë, shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog ka vizituar muralin artistik në Prizren të mbështetur nga Bashkimi Evropian, me ç’rast takoi artistët që realizuan këtë vepër artistike.
Szunyog u shpreh i lumtur për inaugurimin e këtij murali, i cili sipas tij, e ka zbukuruar qytetin e shumë etnive e të shumë kulturave, Prizrenin.
“Jam i lumtur që jam sot këtu, në të njëjtën kohë kjo koincidon me ditën e fundit time të punës të mandatit në Kosovë, kështu që jam i lumtur që jam në Prizren. Jam mjaftë i lumtur që jam në gjendje që ta bëjmë inaugurimin e muralit, i cili është mbështetur nga Bashkimi Evropian. Vitin e kaluar kemi pasur edhe një mural, të cilin e kemi financuar në Prishtinë. Kemi vendosur që edhe Prizrenin ta bëjmë më të bukur. Jemi shumë të lumtur që jemi në gjendje ta bëjmë një gjë të tillë. Gjithashtu, murali përmban lojale së bashku me ngjyrat, lule dhe përfaqësimet që janë këtu. Jemi shumë të lumtur që jemi në gjendje të shohim që Prizreni i mbështet idetë evropiane dhe që në të njëjtën kohë që jemi në gjendje që këtë qytet te shumë etnive, të shumë kulturave ta zbukurojmë edhe më shumë”, tha Szunyog.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj tha se është shumë e rëndësishme që të shfrytëzohet forca e artit për ta promovuar qytetin.
“Është shumë e rëndësishme që ta shfrytëzojmë forcën e artit për ta promovuar qytetin dhe në këtë rast po shihet se është bërë ndonjë punë e mirë. Duhet t’i falënderojmë donatorët, por edhe artistët që e kanë bërë këtë, për shkak se e kanë zbukuruar gjithë këtë pjesë dhe pjesën tjetër që ka mbetur pa u rregulluar do ta financojë komuna…Të gjitha këto vepra mbesin këtu në Prizren, e zbukurojnë qytetin tonë dhe i tërheqin më shumë vizitorët. Sa më tepër të kemi pamje të bukura në qytet, është më interesante, më atraktive, për shkak se promovohet qyteti i Prizrenit…Komuna do të kyçet në përkrahjen e këtyre aktiviteteve, sepse konsiderojmë që është shumë e rëndësishme të shfrytëzojmë këtë mundësi që e kemi”, potencoi Totaj.
Njëri ndër artistët që mori pjesë në krijimin e muralit, piktori Hasan Thaqi tha se punimet kanë zgjatur rreth një muaj e gjysmë dhe se dimensionet janë 42 metra gjatësi dhe 1 metër e 80 centimetra lartësi.
“Këtë mural e kemi punuar në një kohëzgjatje prej një muaj e gjysmë me dy kolegët e tjerë, Arbnorin dhe Gentianën…Bashkësia evropiane ka dashur të shkëpusë disa murale, sepse në Prishtinë kohën e fundit janë realizuar shumë murale dhe qytetet tjera kanë mbetur pak anash në këtë drejtim dhe kanë shprehur dëshirën që në Prizren kjo pjesë ka pasur nevojë urgjente për një mural...Dimensioni i këtij murali është 42 metra me 1.80 lartësi…Qytetarët e kanë pritur shumë mirë edhe gjatë pikturimit, por edhe tash vërehet një ndryshim shumë i madh…Në këtë kompozicion vërehet skulptura antike, për arsye se Prizreni është qytet antik dhe ka trashëgimi kulturore”, tha Thaqi.
Vepra murale e krijuar në një zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore të Prizrenit, është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të BE-së për përmirësimin e hapësirave urbane përmes intervenimeve artistike.