Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe ai i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, takuan kryetarin e Zveçanit, Ilir Peci, dhe atë të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, të cilëve u bënë thirrje të mos bëjnë veprime që mund të përshkallëzojnë situatën në veri.
Kryetarëve të zgjedhur që janë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se i ftuan që të tregojnë përmbajtje.
Takimi i diplomatëve me kryetarët e zgjedhur është mbajtur në ditën kur disa serbë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale.
Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.
Kryetarët shqiptarë kanë dalë nga zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore të vendit, zgjedhje këto të cilat janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lisa Serbe, me përkrahjen e Beogradit zyrtar.