Me rastin e 9 majit, Ditës së Evropës, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomash Szunyog i shoqëruar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama vizituan një grup artistësh grafitësh që janë duke punuar në muralin e Ardhmërisë së Gjelbër dhe Transformimit Digjital te rreth-rrotullimin kryesor në hyrjen e Prishtinës.
Në këtë mural u ngjyrosën flamuri i Kosovës, Bashkimit Evropian dhe ai i Ukrainës.
Szunyou deklaroi po ashtu se duke shënuar Ditën e Evropës po dëshmohet edhe mbështetja e tyre për Ukrainën dhe Kosovën, si dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.
“Është bërë tashmë tradicionale dhe jam i lumtur për këtë, që po festojmë Ditën e Evropës me artin rrugor në Prishtinë. Shpresoj që ta bëjmë Prishtinën më të bukur. Vitin e kaluar i kemi ngjyrosur shkallët e (lagjes) “Arbëria”, këtë herë kemi planifikuar ta bëjmë këtë murin këtu. Jam shumë i lumtur që kemi artistët nga Belgjika, kryeqyteti i BE-së. Kemi një dizajn që është kombinim i ngjyrave kaltër dhe verdh, me yjet e Evropës”, tha ai.
Rama po ashtu theksoi se përmes ngjyrosjes së murit me ngjyrat e flamurit ukrainas po tregojnë solidarizimin me Ukrainën dhe popullin e saj, i cili tash e disa muaj po përballet me agresionin rus.
“Duke pas parasysh se Kosova është duke bërë një punë të madhe për t’iu bashkuar komunitetit evropian sot tregon një mbështetje e Bashkimit Evropian drejtë anëtarësimit të Kosovës në BE, dhe po ashtu tregon një mbështetje të madhe edhe për Prishtinën si kryeqytet, intervenimet e ndryshme në kryeqytet që t’i japim një ngjyrë më të mirë një jetë më të mirë qytetarëve të Prishtinës. Ky është një intervenim simbolik këtu”, theksoi ai.
Në orën 20:30, Zyra e BE-së në Kosovë do të organizojë pritjen e Ditës së Evropës dhe ceremoninë e ndarjes së Çmimit Evropiani i Vitit.