Sveçla reagon kundër masës së paraburgimit për tre policët e kindapuar nga forcat serbe
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pasi Serbia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për policët e Kosovës, të rrëmbyer nga forcat serbe, duke thënë se kjo është e paprecedentë dhe e papranueshme.
Sveçla ka shkruar në Facebook se tre zyrtarët tanë policorë të kidnapuar në territorin tonë nga forcat speciale të Serbisë, vazhdojnë të mbahen në Serbi.
“Për më keq, atyre sot iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Kjo është e paprecedentë dhe e papranueshme. Fakti që Serbia agresore nuk do të ndalet me orkestrime të akteve të tilla, e dëshmojnë sulmet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur sot gjatë ditës në veriun e vendit tonë. Në mëngjesin e sotëm bandat kanë sulmuar me shok-bomba stacionet policore në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, është sulmuar një veturë e Policisë së Kosovës, është sulmuar vetura e Ministrit Elbert Krasniqi që ndodhej në vizitë tek Kryetari Lulzim Hetemi, turma e bandave ka kaluar me lehtësi kordonin e sigurisë dhe ka ndërhyrë objektin e Komunës si dhe janë sulmuar e rrahur brutalisht gazetarë e kameramanë të mediave tona. Të gjitha këto në më pak se 10 orë, të gjitha këto nga persona të njëjtë që pranojnë urdhra të tillë kriminal nga persona të njohur për autoritetet tona e për publikun. Mungesa e reagimit ndaj këtyre akteve kriminale që cenojnë sigurinë e institucioneve tona, qytetarëve tanë e mediave tona, u jep krahë këtyre bandave që udhëzimet e urdhëratë i marrin nga Beogradi. Përkundër të gjitha sulmeve, Policia jonë nuk do të ndalet. Ajo do të vazhdojë angazhimin e saj në çdo cep të Republikës së Kosovës, për të gjithë qytetarët pa dallim e kundër të gjitha bandave e kriminelëve pa dallim”, ka shkruar ai.