Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se përgjegjësit e krimeve të luftës në Kosovë duhet të vihen para drejtësisë. Ai ka shkruar pasi Policia e Kosovës ka arrestuar një serb në Graçanicë, për krime kundër popullatës civile.
Ministri i Brendshëm ka thënë se arrestimi ka ndodhur pas një punë të gjatë hetimore, nga e cila janë mbledhur prova të mjaftueshme për ekzistimin e dyshimit për pjesëmarrje në krimet gjatë kohës së luftës.
Ai gjithashtu ka përgëzuar Policinë e Kosovës për punën e bërë.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës për punën e jashtëzakonshme të zhvilluar gjatë hetimeve si dhe për arrestimin. Sado që vitet kalojnë, keqtrajtimet dhe torturat e atyre viteve nuk mund të kalojnë pa u ndëshkuar. Përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë”, ka shkruar ai.