Sveçla pas sulmeve në veri: Disa janë ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës që kanë dhënë dorëheqje kohën e fundit
Lexohet për: 5 min.
Xhelal SVeqla
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se disa nga kryerësit e sulmeve të djeshme në veri të vendit janë ish pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët kanë dhënë dorëheqje kohët e fundit. Pas sulmeve me shok bomba, granatë dore e armë zjarri në Zubin Potok dhe veri të Mitrovicës, Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale po angazhohen që kryesit e veprave të dalin sa më parë para drejtësisë derisa ka shtuarës përgjigja e vetme e institucioneve të Kosovës janë drejtësia dhe qëndrueshmëri.

Në një konferencë për media, ministri i Brendshëm ka thënë se sulmet e së martës janë cilësuar si sulm ndaj rendit kushtetues, shtytje në vepra terroriste, kryerje e veprave terroriste, zjarrvënie e posedim të pa autorizuar të armëve.

Sveçla ka thënë se një pjesë kriminelëve janë ish pjesëtarë të PK-së, të dorëhequr së fundi, të dhëna këto të siguruara nga policia dhe inteligjenca.

“Tashmë kemi edhe të dhënat e para të mbledhura nga tereni, qoftë nga polica e rendit, qoftë nga inteligjencia, e cila na thotë se një pjesë e këtyre kriminelëve vinë nga radhët e ish pjesëtarëve të Policisë së Kosovës...Policia e Kosovës është duke bërë hetime intensive në bashkëpunim me prokurorinë speciale, tashmë siç e thash kemi edhe informacionet e para të cilat janë duke u verifikuar përmes më shumë se një kanali, janë duke u mbledhur dëshmitë, qoftë filmimet, qoftë dëshmitarët okular për këto aktivitete dhe për këta persona të cilët kanë qenë pjesë e kësaj veprimtarie terroriste. Sipas disa informatave që ne i kemi, disa nga pjesëtarët e këtyre grupeve janë ish pjesëtar të Policisë së Kosovës, nuk po them të gjithë, disa vinë nga ish zyrtarët policor të Policisë së Kosovës të cilët kanë dhënë dorëheqje kohën e fundit”, ka thënë ministri i Brendshëm.

Megjithatë, ai ka siguruar qytetarët e Kosovës se Policia e Kosovës do të asistoj në të gjitha proceset legjitime të institucioneve të vendit si dhe do të siguroj ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

Ai ka thënë se bandat kriminale po mbështeten dhe drejtohen nga Serbia dhe janë kundër të drejtës fondamentale të qytetarëve në këto komuna për të zgjedhur udhëheqësit e tyre.

“Institucionet e Kosovës janë në anën e së drejtës ndërkohë qëndrueshmëria jonë do të jetë garancë e triumfit të drejtësisë, drejtësia dhe qëndrueshmëria janë përgjigja jonë e vetme... Unë nuk pres diçka të mirë, as nga Vuçiq as nga qeveria e Serbisë, të cilët realisht janë mbështetësit, udhëheqësit, financueset e këtyre grupeve, japin edhe mburojën politike këtyre grupeve kriminale, dhe nuk pres që këta në një moment të vendosin se do t’i lënë këto praktika. Është në dorën, obligimin, në detyrën e institucioneve të Kosovës që këto praktike, këta kriminelë të luftohen 24/7 dhe atë suksesshëm. Kjo është garancia që këta nuk do të përsërisin këso lloj veprash, përndryshe prej tyre nuk pres asgjë të mirë”, ka thënë ai.

Gjatë së martës në veri të Mitrovicës dhe Zubin Potok, zyrtar komunal të zgjedhjeve dhe ata policor kanë provuar t’i hapin zyrat e KQZ-së por të njëjtit janë sulmuar.

Në këtë mënyrë është vështirësuar vazhdimi i procesit të përgatitjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit të cilat pritet të mbahen më 18 dhjetor.

Megjithatë, ministri i Brendshëm e sheh të mundur mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore sipas datës së caktuar.

“Unë mund të ju them përshtypjet por edhe bindjen time personale, unë jam i bindur që Polica e Kosovës ka të gjitha kapacitetet e nevojshme që të garantojë të gjitha proceset demokratike në Republikën e Kosovës. Për më shumë, normalisht që janë institucionet përgjegjëse të cilat marrin vendime, është presidentja e Republikës së Kosovës, është Komisioni Qendror Zgjedhor ai që përgatit planin por edhe pastaj i drejtohet presidentes për çfarëdo lloj alternative të cilën ata mund të propozojnë. Për sa më takon mua, Policia e Kosovës po dëshmohet si një polici e aftë që të kryejë detyrat e saj ligjore, ndërkohë ne po presim planin e KQZ-së lidhur me aktivitetet e parapara që ky proces të vejë mbarë, në bazë të këtij plani pastaj Policia e Kosovës bën vlerësimet e nevojshme si dhe bën rekomandimet për institucionet politike vendimmarrëse e cila përfundon me vendimin  presidentes Osmani”, ka thënë Sveçla.

Sveçla ka thënë se situata në veri të vendit sot është e qetë.

Zgjedhjet në veri të vendit janë shpallur pas dorëheqjes së kryetarëve serb në këto komuna./G. Kadrija

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024