Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla me ftesën e Ministres Federale të Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Nancy Faeser, mori pjesë në takimin e ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, përgjegjës për siguri të brendshme dhe migrim.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se me këtë rast ministri Sveçla ritheksoi zotimin e Qeverisë së Kosovës për shtyrjen përpara të iniciativave nën kornizën e Procesit të Berlinit, si iniciativa që do të sjellin përfitime për regjionin dhe më gjerë.
Sveçla theksoi rezultatet e Republikës së Kosovës në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të cilat kanë ndikuar në rangimin e Kosovës si vendi i parë në Ballkanin Perëndimor nga Raporti Botëror i Drejtësisë në Sundimin e Ligjit si dhe përmirësimit për 17 vende në Indeksin e Transparency International.
Bëhet e ditur se në fjalimin e tij ai ndau edhe përvojën e suksesshme të Kosovës në fushën e luftimit të terrorizmit, në rikthimin dhe riintegrimin e shtetasve që kanë marrë pjesë në luftërat e huaja, kthimin e grave dhe fëmijë të tyre, si dhe rëndësinë e bashkëpunimeve operacionale dhe me shtetet e rajonit.
Ndërsa sot gjatë vizitës në Berlin, ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla u takua me Dr. Dieter Romann, Presidentin e Policisë Federale të Gjermanisë, me të cilin biseduam për bashkëpunimin e shkëlqyer në mes të dy policive dhe nevojën për forcimin e këtij bashkëpunimi tutje.
Ai theksoi se përvoja e Policisë Federale Gjermane në ruajtjen dhe vëzhgimin e kufirit, luftimin e krimit në përgjithësi është jashtëzakonisht e rëndësishme për Policinë e Kosovës.