Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se janë të përkushtuar për ruajtjen e sigurisë publike.
Në konferencë për media bashkë me kryeministrin Albin Kurti, ministri tha se situata është e qetë.
Ai ka përmendur edhe aksionet që janë organizuar në veri të vendit, me qëllim të luftimit të krimit, kontrabandës dhe korrupsionit.
“Krimi në katër komunat në veri të vendit ka qenë i zhvilluar dhe i mirëmbajtur ndër vite dhe si çdo kund tjetër e kemi luftuar edhe atje. Brenda periudhës mbi një vjeçare në veri të vendit janë organizuar 38 aksione policore, nga të cilat janë shkatërruar pesë laboratorë të substancave narkotike, pajisje në vlerë 300 mijë euro, laboratorë të prodhimit të kriptovalutave, janë sekuestruar mijëra produkte që po kontrabandoheshin. Kemi mbyllur 11 rrugë ilegale që kanë mundësuar kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Natyrisht në këto aksione ka pasur rezistencë të grupeve kriminale të orkestruara nga Beogradi të cilët kanë sulmuar me armë e granate dore Policinë e Kosovës, me qëllim të pengimit dhe eliminimit të tyre”, ka shtuar Sveçla.