Sveçla: Deri më tani ka pasur 578 dorëheqje
Lexohet për: 3 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se deri më tani ka pasur 578 dorëheqje, prej të cilave 461 nga Policia e Rendit Publik, 107 nga Policia Kufitare dhe 10 nga hetimet.

Sipas tij, dorëheqjet e policëve të uniformuar vijnë pas kërcënimeve të shantazheve, ku edhe po rrezikohet ekzistenca e tyre.

“Deri më tani në Policinë e Kosovës, përkatësisht në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës-veri dhe stacionalet policore përkatëse janë pranuar njoftimet për dorëheqje nga stafi i uniformuar dhe stafi civil nga komuniteti serb. Ku zyrtarisht janë paraqitur 578 dorëheqje, prej të cilave 461 nga Policia e Rendit Publik, 107 nga Policia Kufitare dhe 10 nga hetimet. Dorëheqjet brenda Policisë së Kosovës po vijnë pas kërcënimeve dhe shantazheve me ç’rast rrezikohet edhe ekzistenca e këtyre zyrtarëve policorë, në rast se nuk japin dorëheqje”, ka deklaruar ministri Sveçla.

Ai ka shtuar se pjesë e këtij orkestrimi nuk janë serbët lokalë, por grupe të caktuara dhe të organizuara me Vuçiq me qëllim të destabilizojë sigurinë në vend dhe për të shkaktuar mos-funksionim të vendit.

Në konferencë për media, Sveçla deklaroi se ekzekutivi ka marrë vendime tërësisht të ligjshme lidhur me targat ilegale me qëllim të shtirjes së ligjshme dhe sovranitetit në Kosovë.

Ai tha se kanë ngritur të gjitha kapacitetet që të jemi në shërbim të qytetarëve gjatë këtij procesi. Sipas tij, deri më tani nuk është evidentuar asnjë incident, ankesë, vërejtje apo mos-pranim i fletë-qortimeve.

“Nuk është hera e parë që Serbia po përdor strukturat ilegale për terrorizimin e qytetarëve, sa herë ata që janë përgjigjur pozitivisht ftesave dhe vendimeve legjitime të institucioneve të vendit. Që nga viti 2011, prej kur ka nisur procesi i konvertimit të targave janë djegur 56 automjete të qytetarëve serbë. Madje, vetëm nga muaji qershor kur qeveria ka marrë vendimin për targa, Serbia në krye me Vuçiq ka vazhduar të përdorë metoda të kërcënimit, shantazhit dhe sulmit prej të cilëve kanë pësuar qytetarët tonë në veri të vendit, ku kemi pasur pesë vetura të djegura, disa prej të cilëve të zyrtarëve policor atje, një sulm ndaj personit zyrtar, një djegie e një kontejneri ku ka banuar një zyrtar policor, një rast dëmtim prone dhe një rast djegie e shtallës ku mbahet ushqimi i bagëtisë”, ka shtuar ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024