Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur në rastin që lidhet me një grup të dyshuar për krim të organizuar, trafikim të lëndëve narkotike dhe shpërlarje të parave.
Vendimi është marrë nga kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale ndaj 20 të pandehurve, të cilët dyshohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, trafikim të narkotikëve dhe shpërlarje të parave.
Sipas Gjykatës Supreme, nga provat e siguruara deri në këtë fazë ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë, ndërsa vërtetimi përfundimtar i tyre do të shqyrtohet gjatë procedurës gjyqësore.
Gjykata Supreme ka vlerësuar gjithashtu se ekziston rreziku i ikjes së të pandehurve, duke marrë parasysh seriozitetin e veprave penale, dënimet e parapara me ligj, si dhe dyshimet se disa prej tyre kanë përdorur identitete të rreme ose kanë ndryshuar identitet për t’iu shmangur autoriteteve.
Po ashtu, sipas Supremes, në rast se të dyshuarit do të liroheshin, ekziston rreziku që ata të ndikojnë tek bashkëpandehurit, të koordinojnë deklaratat ose të pengojnë administrimin e provave.