Superliga “e papërballueshme” për klubet që promovohen
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Për vite me radhë në futbollin e vendit tonë, skuadrat që sigurojnë inkuadrimin në Superligën e Kosovës, përballen me vështirësi organizative dhe financiare, duke bërë që ato të mos arrijnë të mbijetojnë dhe të bien sërish një rang më poshtë.
Për këtë problematikë kanë folur njohës të futbollit vendor, të cilët kanë thënë se telashet e këtyre klubeve vijnë kryesisht për shkak se ato nuk kanë një projekt serioz para se të futen në Superligë.
Trajneri Granit Begolli ka thënë për KosovaPress, se diferenca e madhe në cilësi në mes kategorisë elitare dhe ligës së dytë, bën që skuadrat që ngjiten në Superligë, të dështojnë.
Ndërsa, ish-futbollisti i “Lirisë”, Robert Gjeraj konsideron se buxheti i vogël i skuadrave nga Liga e Parë, bie ndesh me kërkesat e larta për paga të lojtarëve dhe shpenzimeve të tjera që kërkohen pas futjes në Superligë dhe kjo pastaj sjellë telashe të mëdha për këto klube.
Skuadra e Ferizajt garoi mes skuadrave më të mira në kampionatin elitar vetëm për një sezon (2022/23) dhe më pas është rikthye në një rang më të ulët.
Presidenti i këtij klubi, Luzim Abazi ka kërkuar edhe ndërhyrjen e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për të ndihmuar klubet, sidomos në aspektin financiar.