Sonte me fillim nga ora 20:45 stadiumi “Johan Cruijff Arena” i Amsterdamit do të jetë nikoqir i super derbit mes Holandës e Francës, ndeshje kjo e vlefshme për xhiron e shtatë të fazës së grupeve të kualifikimeve drejt Kampionatit Evropian Euro 2024.
Në xhiron e fundit të zhvilluar në kuadër të këtyre kualifikimeve, Holanda e mposhti Irlandën 2:1, kurse Franca u mposht në një miqësore nga Gjermania 2:1, raporton KosovaPress.
Takimi i fundit mes këtyre dy kombëtareve daton në muajin mars të këtij viti, ku asokohe Franca e deklasoi 4:0 Holandën.
Sa i përket ndeshjes së sotme, të dy kombëtaret do të kenë mungesa të shumta, ku për Holandën nuk do të paraqiten Berghuis, Depay, Flekken, Gakpo, Koopmeiners, Lang, Malacia, Timber, De Jong dhe De Ligt, kurse te Franca mungojnë Disasi, Fofana, Kounde, Nkunku, Upamecano dhe Veretout.
Holanda (3-4-3): Verbruggen; De Vrij, Van Dijk, Ake; Dumfries, De Roon, Veerman, Blind; Simons, Weghorst, Malen
Franca (4-2-3-1): Maignan; Pavard, Konate, L. Hernandez, T. Hernandez; Tchouameni, Rabiot; Dembele, Griezmann, Mbappe; Giroud