Është sulmuar ekipi i televizionit Alsat ndërsa ishte në detyrë. Sulmi fillimisht verbal dhe më pas fizik ndodhi në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ndërsa dy gazetaret e televizionit, Era Gjakova dhe Sarah Hoxha, së bashku me kameramanin po xhironin në terren.
Një person që kishte dhe dyqanin aty pranë pa kurrfarë arsye ka kërcënuar me mjete të mprehta gazetaret dhe kameramanin, raporton Alsat.
“Ne ishim duke e bërë punën tonë, pasi gazetaria është pjesë shumë e madhe edhe në terren. Ishim duke incizuar në vend publik në Çarshinë e Vjetër të Shkupit pa mos cenuar privatësinë e askujt dhe pa pritur e kujtuar na doli një prej personave që kishte dyqanin në Çarshi e Vjetër, pastaj e kuptuam se ishte berber. Filloi të na kërcënojë, sidomos kameramanin. Kërcënimet ishin me jetë do t’ju bëj copë-copë, sharje dhe ofendime të ndryshme. Pavarësisht që u munduam të largohemi dhe personi u kthy në dyqan dhe doli dhe filloi ta sulmojë fizikisht kameramanin me çrast kameramani ra në tokë dhe ka lëndime në pjesë të ndryshme të trupit", deklaroi Era Gjakova, gazetare.
Pas sulmit, në vendngjarje ka mbërritur edhe policia, por sulmuesi ndërkohë mbylli dyqanin e tij dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Pas sulmit, gazetareve dhe kameramanit të Alsat i është ofruar ndihmë mjekësore.
Ndërkohë Ministria e Punëve të Brendshme informoi se pas denoncimit të rastit po punohet për zbardhjet e plotë të sulmit.