Ekipet mediale nga Prishtina kanë qenë sot cak i një sulmi brutal derisa po kryenin punën e tyre në Leposaviq, ndërsa kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, është sulmuar fizikisht nga një protestues serb i maskuar dhe për pasojë ka marrë lëndime të rënda.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka publikuar një video ku shihet tek ushtrohet dhunë ndaj kameramanit Bekteshi.
Aty bëhet e ditur se në një deklaratë për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit i kanë gjuajtur me gurë ekipet e medieve, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.
“Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup”, ka thënë ajo.
“AGK-ja, dënon ashpër këtë sulm, njëherësh bën të ditur se për të gjitha këto sulme që kanë ndodhur në veri të vendit, do të informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias”, thuhet aty.