Qeveria e udhëhequr nga ushtria e Sudanit ka refuzuar thirrjen e një misioni fakt-mbledhës të OKB-së për vendosjen e një force ndërkombëtare për të mbrojtur civilët nga lufta civile e vazhdueshme e vendit.
Palët ndërluftuese të Sudanit kishin kryer shkelje "rrëqethëse" të të drejtave të njeriut kundër civilëve, njoftoi misioni i OKB-së.
“Duke pasur parasysh dështimin e palëve ndërluftuese për të kursyer civilët, është e domosdoshme që një forcë e pavarur dhe e paanshme me mandat për të mbrojtur civilët të vendoset pa vonesë”, tha kreu i misionit të OKB-së, Chande Othman.
Misioni fakt-mbledhës bëri thirrje gjithashtu për vendosjen e një embargoje armësh për palët e përfshira në konflikt. Ai raportoi gjetjet e tij pasi mori dëshmi të dorës së parë nga 182 të mbijetuar, anëtarë të familjes dhe dëshmitarë okularë.Ndërkohë, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus i bëri thirrje "botës të ndihmojë Sudanin të dalë nga makthi që po përjeton".
"Shkalla e emergjencës është tronditëse, ashtu si edhe veprimi i pamjaftueshëm që po ndërmerret për të kufizuar konfliktin dhe për t'iu përgjigjur vuajtjeve që ai po shkakton," tha ai.