Është bërë konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024. Kryesuesi i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj ka thënë se qëllimi i formimit të komisionit është që të shikohet se si ka shkuar procesi për tekstet shkollore.
Deputeti nga LVV, Armend Muja ka propozuar që javën që vjen t'i përkushtohen këtij qëllimi dhe të bëhet një plan pune. Ndërsa, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vlora Dumoshi është shprehur e shqetësuar me gjendjen aktuale në arsim. Sipas saj, edhe sot shumë nxënës nuk janë të pajisur me libra shkollorë. Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arjeta Fejza, e cila tha se ky është konstatim i vetë deputetes. Dreshaj ka propozuar që ky komision të mbahet të premten në orën 13:30. Me këtë u pajtuan deputetet prezentë. /E.Krasniqi