Reshjet e shiut kanë vijuar pothuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë gjatë natës dhe vijojnë edhe në këto momente, por situata paraqitet normale në pjesën më të madhe të qarqeve.
Në Tiranë situata është përmirësuar, krahasuar me një ditë më parë. Po punohet në segmentin rrugor Bënçë-Lekdush, në vendin e quajtur “Uji i Varur”, bashkia Tepelenë, në aksin rrugor Picar- Golem, për zhbllokimin e rrugëve nga inertet.
Në disa akse rrugore në Shkodër, Dibër, Elbasan, Berat e Korçë po punohet për pastrimin e rrugëve. Ndërsa ekipet e OSHEEE po mundësojnë rilidhjen e energjisë në disa zona të thella të Gjirokastrës, Vlorës, Beratit, Fierit, Korçës, Dibrës e Elbasanit.
Përndryshe, si pasojë e reshjeve është dëmtuar ura e fshatit Panarit në njësinë administrative Vithkuq të Bashkisë së Korçës. Gjithashtu, një familje ka mbetur e bllokuar në fshatin Rraboshtë të Lezhës.