Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut protestojnë sot në Shkup për të drejtën e provimit në gjuhën shqipe, transmeton KosovaPress.
Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Besar Sejdiu, ka bërë thirrje për mbështetje të gjerë qytetare ndaj një proteste paqësore që do të mbahet të hënën në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.
Sejdiu ka deklaruar se mungesa e zbatimit të kësaj të drejte prej vitesh po krijon pengesa serioze për studentët shqiptarë, duke ndikuar drejtpërdrejt në avancimin e tyre akademik dhe profesional.
Ai e ka cilësuar këtë çështje si më shumë sesa një problem individual apo politik, duke theksuar se bëhet fjalë për një kauzë të rëndësishme që lidhet me barazinë dhe respektimin e të drejtave themelore.Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe dinjitoze, me qëllim sensibilizimin e opinionit publik dhe adresimin e kërkesave të studentëve tek institucionet përkatëse.