Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u ka premtuar sërish shteteve në krahun lindor të NATO-s mbështetjen e plotë të aleancës në rast të një sulmi kundër tyre, në sfondin e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës.
“NATO ka forcat, burimet, aftësitë dhe vullnetin politik për të mbrojtur çdo aleat”, tha sot Stoltenberg pas një takimi me presidentin letonez Edgars Rinkevics, në Rigë.
Grupi përfshin Poloninë, Rumaninë, Bullgarinë, Hungarinë, Republikën Çeke, Sllovakinë dhe tre shtetet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë – me fjalë të tjera, shtetet që përbëjnë krahun lindor të NATO-s.
Samiti, ku merrte pjese gjithashtu kryeministri suedez, Ulf Kristersson dhe presidenti finlandez Alexander Stubb si mysafirë, u organizua në kuadër të përgatitjes për samitin e NATO-s në Uashington në korrik.
Nëntë vendet në Evropën Qendrore dhe Lindore janë të shqetësuara për sigurinë e tyre përballë luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe – me përjashtim të Hungarisë – janë ndër mbështetësit më të vendosur të Ukrainës.
Hungaria, e cila mban lidhje të ngushta me Moskën, u përfaqësua në takimin në Rigë vetëm nga ambasadori i saj – siç ishte edhe Sllovakia.
“Ne jemi të bashkuar në NATO dhe jam absolutisht i sigurt se jemi gjithashtu të bashkuar kur bëhet fjalë për sigurinë në Evropën Lindore”, tha Duda gjatë mbërritjes së tij në samit.
Krerë të tjerë te shteteve pjesëmarrës bënë deklarata të ngjashme për Hungarinë, e cila, sipas një raporti në “Financial Times”, mund të kërcënohet me përjashtim nga formati B9.
Samiti i radhës i NATO-s do të zhvillohet në Uashington nga 9 deri më 11 korrik.
Aleanca po feston 75 vjetorin e saj këtë vit. NATO u themelua në kryeqytetin amerikan në vitin 1949 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Britania e Madhe dhe nëntë shtete të tjera perëndimore. /atsh/