Inkursioni i Ukrainës në rajonin Kursk të Rusisë është legjitim dhe mbulohet nga e drejta e Kievit për vetëmbrojtje, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg për të përjavshmen gjermane Welt am Sonntag në reagimin e tij të parë ndaj inkursionit në territorin rus.
"Ukraina ka të drejtë të mbrohet. Dhe sipas ligjit ndërkombëtar, kjo e drejtë nuk ndalet në kufi", tha Stoltenberg, duke shtuar se NATO nuk ishte e informuar paraprakisht për planet e Ukrainës dhe nuk luajti asnjë rol në to.
"Presidenti ukrainas Zelensky e ka bërë të qartë se operacioni synon të krijojë një zonë tampon për të parandaluar sulmet e mëtejshme ruse nga përtej kufirit. Si të gjitha operacionet ushtarake, edhe ky vjen me rreziqe. Por Ukraina vendos se si të mbrohet," shtoi ai.
Rusia e quajti operacionin Kursk një "provokim të madh" dhe paralajmëroi hakmarrje.