Stoku i borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë vlerësohet në nivelin 52.4 % të PBB-së në fund të gjysmës së parë të vitit 2023.
Ky raport është rreth 7.9 pikë përqindjeje më i ulët krahasuar me një vit më parë, thekson Banka e Shqipërisë në statistikat e publikuara sot mbi borxhin e jashtëm.
Në ndarjen sipas maturitetit, borxhi afatgjatë përbën rreth 90.8 % të totalit, ndërsa borxhi afatshkurtër rreth 9.2 %. Borxhi i jashtëm neto në raport me PBB-në vlerësohet në 4.7 %, me një pakësim prej 5.3 pikë përqindjeje.
Banka e Shqipërisë në analizën e saj, vlerëson se, treguesit e aftësisë ripaguese afatgjatë të borxhit të jashtëm kanë vazhduar të përmirësohen edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2023.
Kështu, raporti ndërmjet borxhit të jashtëm bruto dhe eksportit vjetor të mallrave dhe shërbimeve vlerësohet në 115.1 %, nga niveli 136.8 % një vit më parë. Gjithashtu, raporti i borxhit të jashtëm ndaj të ardhurave fiskale u pakësua në 183.0 % nga 213.9 % një vit më parë. Ndërsa raporti i stokut të borxhit të qeverisë së përgjithshme ndaj të ardhurave fiskale u ul në 91.7 % nga 105.2 % një vit më parë.
Edhe treguesit e mjaftueshmërisë së likuiditetit shfaqin tendenca përmirësuese.