Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier kritikoi sot ashpër luftën SHBA-Izrael kundër Iranit si një shkelje të së drejtës ndërkombëtare duke thënë se nuk ka asnjë arsye që Gjermania të bashkohet me administratën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
”Konflikti ishte një gabim politikisht katastrofik dhe një luftë vërtet e shmangshme dhe e panevojshme, nëse qëllimi i saj ishte të ndalonte Iranin në rrugën drejt një bombe atomike”, tha Steinmeier para një audience që merrte pjesë në një aktivitet në Berlin që shënonte 75-vjetorin e rikrijimit të Ministrisë së Jashtme pas Luftës së Dytë Botërore.
”Irani nuk kishte qenë kurrë më larg një armatimi bërthamor sesa pas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015”, tha ai.
Steinmeier ishte i përfshirë në atë marrëveshje si ministër i Jashtëm në atë kohë.Presidenti gjerman kritikoi orientimin e ri të administratës Trump, duke argumentuar jo vetëm se Gjermania nuk ka nevojë të ndjekë këtë rrugë, por edhe me një administratë të re amerikane, marrëdhënia transatlantike ndryshon në mënyrë të pakthyeshme.
“Administrata aktuale amerikane ka një botëkuptim të ndryshëm nga i yni, një që nuk merr parasysh rregullat e vendosura, partneritetet dhe besimin e ndërtuar me kalimin e kohës”, tha Steinmeier.
“Bota në kokat tona duhet të hartëzohet nga e para”, i tha ai audiencës.