Stafit mbështetës të infermierëve dhe mjekëve të rekrutuar në kohën e pandemisë Covid-19, në muajin qershor iu përfundon kontrata e punës, por ata ende nuk dinë për fatin e tyre se a do të vazhdojnë të tutje si pjesë e klinikave dhe spitaleve ku po punojnë apo jo.
Leonora Raçi e cila tash e 9 muaj është duke punuar si infermiere në Kliniken Infektive për KosovaPress, tregon se më 5 qershor të këtij viti i skadon kontrata e punës që kishte lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë.Sipas kësaj infermiere të re në karrierë, krahas nevojës që ajo ka për këtë vend pune, edhe më shumë për këta profesionistë shëndetësor ka Klinika Infektive.
“Unë dhe shumë infermierë të tjerë kemi qenë të angazhuar në kujdesin intensiv ku kemi pas gjatë asaj kohe për shkak se kemi qenë punëtorë shëndetësor të rinjë kemi pasur shumë peripeci por ia kemi dal....Më 5 qershor neve na skadon kontrata dhe sa i përket kësaj çështje nuk kemi marr asnjë informatë rreth kontratave se a do të na shkëputën apo të na vazhdohen nuk kemi asnjë informacion edhe pse jemi duke vazhduar punën deri në atë datë, tash ta shohim a do të marrim ndonjë informatë apo jo.....Për neve si punëtorë shëndetësor që jemi të rinj në moshë sikur unë kemi normal nevojë për punë edhe pse në Klinikën Infektive numri i infermierëve që punojnë janë shumë pak, dy infermierë diku për rreth 7,8 e deri 10 pacienta deri në 15 shkon numri. Sa kemi qenë ne situata ka qenë më stabile, por pasi të na shkëputet neve kontrata nësa na shkëputet atëherë nuk e di si do të funksionoj”.
Drejtori i OIK-së, Naser Rrustemi thotë se në çdo klinik ku kanë vepruar këta profesionistë shëndetësor, ndihet nevoja për punën e tyre.
Sipas tij, nëse u shkëputet kontrata e punës këtyre mjekëve dhe infermierëve, do të pësojë pacienti.
Edhe nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar e Kosovës thonë për KosovaPress, se nevoja për personel shëndetësor në të gjitha klinikat por edhe spitalet e përgjithshme është e madhe, prandaj i konsiderojnë si një aset të nevojshëm edhe stafin që u angazhuan gjatë pandemisë për të vazhduar tutje punën.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës për stafin e angazhuar nga ministria, iu njofton se ata kanë kryer punë të mirë dhe nevojat për klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme është e madhe, andaj janë të nevojshëm edhe mëtej për të kryer shërbime shëndetësore për pacientët”, thuhej në shkresën e ShSKUK-së.
Agron Mehmeti, ushtrues detyre në Qendrën Kryesore të Mjekësisë? Familjare në Skenderaj, thotë se tashmë kanë adresuar dy kërkesa drejt Ministrisë së Shëndetësisë që profesionistëve shëndetësorë që ishin të angazhuar në këtë komunë t’u vazhdohet kontrata e punës, pasi edhe stafi aktual i rregullt është në moshë të shtyrë.
Sipas tij, krahas vaksinimit kundër COVID-19, janë angazhuar edhe në ofrimin e shërbimeve të tjera për pacientët.
E nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me këtë thonë se në vazhdimësi po shqyrtojnë mundësitë e sistemit të punëtorëve shëndetësor.
“Ministria e Shëndetësisë në vazhdimësi është duke e shqyrtuar mundësinë e sistemimit të punëtorëve shëndetësor, apo stafit mbështetës të punësuar gjatë pandemicë COVID 19”, thuhet në përgjigjen e këshilltares në MSH, Lumturije Bekaj.
KosovaPress ka raportuar edhe për mospagesat e këtyre profesionistëve shëndetësor për rreth tre muaj.