Stadiumi i Shtimes bëhet me bari sintetik, Aliu: Do të investohen edhe 2.4 milionë euro
Lexohet për: 5 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Stadiumi i qytetit në Shtime është bërë me bar sintetik, ndërsa pritet që gjatë këtij muaji të fillojnë punimet për rinovimin e tërësishëm të tij, projekt ky që përfshin ndërtimin e zhveshtoreve të reja, tribunave të reja dhe të gjithë infrastrukturës përcjellëse.

Si pasojë e sukseseve që po i ka skuadra e KF Vjosës, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu tha se do të ketë edhe investime të tjera, qoftë nga Federata e Futbollit të Kosovës, qoftë nga komuna.

Kryetari Aliu për KosovaPress tha sot se ky projekt u bashkë-financua nga FFK e Komuna e Shtimës dhe e kap vlerën e 250 mijë eurove, ndërsa zbuloi edhe planet e radhës për investimin e 2.4 milionë eurove në këtë stadium.

"Sot jemi në përurimin e fushës së futbollit, një projekt i bashkëfinancuar nga Federata e Futbollit e Kosovës dhe Komuna e Shtimes, një projekt që ka kushtuar rreth 250 mijë euro, dhe po shihet që është implementuar shumë bukur dhe në mënyrë cilësore, dhe me norma ndërkombëtare ashtu siç e kërkon edhe UEFA e FIFA. Ky është hapi i parë për t'i shpërblyer sportdashësit, përkatësisht futbollistët e klubit futbollistik Vjosa, që janë për krenari, po them edhe një herë, edhe presim shumë shpejtë ta fillojmë punën edhe ndërtimi i tribunave, që është një projekt diku rreth 2.4 milionë euro, i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. Kështu që, besoj se me këto dy investime, sukseseve të larta të djemve, futbollistëve të klubit futbollistik Vjosa po ju vijnë edhe kushte të cilat i kanë merituar me kohë", tha Aliu.

Për KosovaPress foli edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili tha se iniciativa e këtij projekti ka qenë nga klubi i Vjosës dhe nga kryetari i Shtimes.

"Iniciativa ka qenë e klubit dhe e kryetarit të komunës që kanë qenë iniciues i këtij projekti, insistues në të vërtetë për me bë një terren sa më të mirë, kështu që ne jemi përgjigjur në bazë të projektit tonë që jemi duke e realizuar, çdo 45 ditë nga një fushë të futbollit, kjo veç që i ka kaluar ato ditë, jemi tash pak më herët për shkak të nevojës që ka pasur ky klub, edhe klubi i Kikës, edhe 2 Korriku në fakt, të tri klube të Ligës së Parë. Realisht i kemi rendit tashmë projektet bashkërisht me ministrinë, memorandum të përbashkët ministria, komunat dhe Federata e Futbollit, secila pjesën e vet dhe bashkërisht po e bëjmë më të mirën për infrastrukturën e sidomos në këtë kohë të futbollit”, tha Ademi.

Po ashtu, i pari i FFK-së konfirmoi se sot do të zhvillojë bisedime me kryetarin e Shtimes, për ta ndërtuar edhe një stadium tjetër në këtë komunë.

"E kemi edhe një stadium tjetër që do të flasim sot edhe për stadiumin tjetër që ta realizojmë një stadium tjetër këtu në Shtime, dhe sigurisht tani ato do të kenë diferencë sepse mendojmë që atë duhet ta bëjmë stadium për ekipin e parë, stadium me bar natyral, që do t'i ketë të dy stadiumet Shtimja, dhe uroj që ta përdorin shumë mirë, ashtu siç ja kanë mësy, edhe e ka filluar ekipi i tyre”, tha Ademi.

Për fund, për KosovaPress foli edhe kapiteni i skuadrës së KF Vjosës, Qerim Tershana, i cili tha se tani futbollistes do ta kenë më të lehtë zhvillimin e lojës, teksa u shpreh i gëzuar që ndeshjet e radhës skuadra e tij mund t’i zhvillojë si vendase.

"Ne si futbollistë e kemi shumë më të lehtë me ndërtimin e stadiumit të ri, se duke e pas parasysh se stadiumi i vjetër ka qenë i dëmtuar, kemi pasur shumë vështirësi në zhvillimin e lojës, duke ju falënderuar federatës, komunës dhe kryesisë që kanë bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, për neve që t'i zhvillojmë, ndeshjet siç duhet, të zhvillohet një lojë futbolli siç duhet në kushte normale. Jemi të kënaqur shumë, sepse edhe na ka munguar sepse i kemi zhvilluar ndeshjet si mysafir, tash jemi shumë të kënaqur, sepse tepihu i mirë, tepihu i ri, ta mundëson edhe loja mu zhvillu siç duhet", tha Qerim Tershana.

Klubi i Vjosës ishte kampion vjeshtor në Ligën e Parë të Kosovës, dhe është kandidat serioz për t’u inkuadruar në futbollin elitar, respektivisht në Superligën e Kosovës. /A.Arifi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024