Intervista
Intervista
Të gjitha nga Intervista
Momente kritike, Spahiu: Kosovës i mungon lobimi në Kongres
“Në një moment kur na duhet më së tepërmi, na mungon lobimi në Kongres”. Me këto fjalë, ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu kritikon mungesën e një angazhimi të mirëfilltë të Kosovës për lobim ndërkombëtar, veçanërisht në Uashington. Derisa kujton se periudha menjëherë pas shpalljes së pavarësisë ishte karakterizuar nga mbështetja e fuqishme nga Departamenti i Shtetit, Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi amerikan, ish-diplomati thekson se tani, angazhimi është më i rëndësishëm se kurrë. Në një intervistë për KosovaPress, ish-diplomati Avni Spahiu thekson se edhe ndryshimet gjeopolitike bëjnë që ky angazhim të jetë jashtëzakonisht i nevojshëm. “Në një moment kur na duhet më së tepërmi, na mungon lobimi në Kongres. Kongresi gjithmonë ka qenë mirëkuptues ndaj Kosovës, madje në vitet ’90, kur ne përjetonim represion dhe rreziqe të ndryshme që na vinin nga Serbia, nga një regjim i tmerrshëm. Dhe aty ka filluar çdo gjë, kemi pasur në atë kohë lobim nga komuniteti i cili vazhdon të bëjë  përpjekje  për afrim  me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mendoj që pikërisht tani është momenti që ne të intensifikojmë gjitha këto përpjekje, të përpiqemi të kthejmë kredibilitetin e plotë që kemi pasur”, thotë Spahiu. Sipas tij, ndryshimet në politikën e jashtme amerikane nën administratën e presidentit Donald Trump, po sjellin një doktrinë të re me synimin për ta rikthyer Amerikën si forcë udhëheqëse në arenën ndërkombëtare. Spahiu shton se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj dhe të mos pres gjithmonë ndihmën e SHBA-së. Vetë administrata Trump paralajmëroi se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi, ndërsa së fundi Bashkimi Evropian u bëri thirrje qytetarëve në të gjithë kontinentin që të grumbullojnë ushqime, ujë dhe sende të tjera thelbësore që zgjasin të paktën 72 orë pasi lufta, sulmet kibernetike, ndryshimet klimatike dhe sëmundjet rrisin shanset për një krizë. “Tani shumë herë ndodh që doktrinat e reja të përcillen edhe me probleme, dhe shpresoj që kjo të kalojë me sa më pak trauma. Tani bota po pret se çfarë do të ndodhë. Disa vende kanë marrë disa masa, e shohim Evropa tani është para një egocentrizmi, që dëshiron të marrë fatin në dorë të vet në aspektin e sigurisë jo siç qa ka qenë në 80 vitet e fundit që Amerika të qëndrojë për të si një garanci e sigurisë. Mendoj që tani ka ardhur koha që Evropa të jetë më e fortë, të jetë e gatshme të përballet me sfidat që e presin e të mos i pret gjërat të vijnë të gatshme nga SHBA”, thotë ish-ambasadori Avni Spahiu për KosovaPress. Ai flet edhe për ndryshimet që po e presin botën, transmeton KosovaPress. “Nga ana tjetër do të ndryshojnë shumë gjëra edhe në aspektin e gjeopolitikës, do të kemi një rifokusim të Amerikës në rajone të ndryshme të botës, do të ketë qasje të ndryshme ndaj shumë vendeve, ndaj shumë krizave, dhe tani duhet të pritur se çfarë do të jenë ato, është pikëpyetje t’i dimë të gjitha, por flasim në bazë të indikacioneve, shpalimeve  që bënë kjo administratë që nga dita e parë, tani nuk kanë kaluar as dy muaj të plotë dhe e shohim se çfarë dridhjesh ka shkaktuar kjo qasje e re e SHBA-së”, thotë ai. Ish-ambasadori Avni Spahiu është i bindur se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të kontribuojnë në forcat e KFOR-it, të udhëhequra nga NATO, duke mohuar kështu zërat që paralajmëronin të kundërtën. “Nuk mendoj se kjo do të ndodhë, janë disa gjëra që obligojnë çdo administratë amerikane, janë disa pika prej të cilave ata nuk heqin dorë. SHBA janë pjesë e misionit të NATO-s, nuk janë vetëm, ndonëse kanë rol parësor në forcat e KFOR-it, por nuk shoh asnjë arsye që Shtetet e Bashkuara të bëjnë këtë. Presidenti Trump ka kërkuar nga aleatët që t’i rrisin shpenzimet dhe gjërat nuk janë aq alarmante që ne të brengosemi në këtë aspekt. Nuk besoj se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen, kjo dobëson edhe pozicionin e tyre si superfuqi. Nëse SHBA tërhiqet nga vatrat e krizave kush do t’i zëvendësojë, këto ndryshime gjeostrategjike, gjeopolitike do të ishin të paparashikueshme. Prandaj nuk shoh atë rrezik që do të shpaloset tani apo në të ardhmen”, thotë Spahiu për KosovaPress. Ish-diplomati flet edhe për zhvillimet në Serbi, ndërkohë që thekon se ky vend nuk ka treguar shenja të vullnetit të mirë për të zgjidhur madje as çështjet humanitare, siç janë të pagjeturit. Derisa kritikon regjimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ai thekson se Beogradi duhet të ndryshojë qasjen për të pasur një normalizim të mirëfilltë me Kosovën. Intervista e plotë në sistemin me parapagim
Turizëm
Turizëm
Të gjitha nga Turizëm
The Telegraph: Shqipëria, destinacioni i pushimeve me rritjen më të shpejtë në Evropë
Maldivet e Evropës, plazhe si të Tajlandës – kisha lexuar shumë fraza të tilla për Ksamilin, një fshat i vogël bregdetar në jug të Shqipërisë – përpara se ta vizitoja, shkruan Rebecca Astil në të përditshmen britanike “The Telegraph”. Sapo kisha mbërritur me traget nga Korfuzi – ku fshatrat e pacënuara janë një atraksion. Kisha dëgjuar shumë vlerësime për Ksamilin. Shqipëria, jo shumë kohë më parë e konsideruar si kufiri i fundit i pushimeve mesdhetare, po përjeton një rritje të popullaritetit në mesin e turistëve britanikë. Hotelet po hapen me shpejtësi dhe ndikuesit e medieve sociale po bëjnë çmos për t’i mbushur ato. Në vitin 2015, më shumë se tre milionë turistë të huaj vizituan brigjet e saj me diell. Kjo shifër u rrit në mënyrë të qëndrueshme në më shumë se katër milionë në 2017, dhe në mbi gjashtë milionë në vitin 2019. Sidoqoftë, që nga pandemia, numri i turistëve të huaj që vizituan vendin mesdhetar ka kapur majat. Rreth 10 milionë turistë vizituan vendin ballkanik në vitin 2023 – duke shënuar një rritje prej 56% krahasuar me shifrat e para Covid-it – duke e bërë Shqipërinë destinacionin e pushimeve me rritjen më të shpejtë në Evropë. Dhe ky është vetëm fillimi. Vitin e kaluar qeveria shqiptare prezantoi “Strategjinë e re Kombëtare të Turizmit”, e cila parashikon të mirëpresë deri në 30 milionë turistë të huaj deri në vitin 2030 – më shumë se Portugalia apo Kroacia, transmeton KosovaPress. Për të arritur këtë objektiv, zhvillimet e reja vazhdojnë me ritëm – ndërsa Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump së fundmi kanë marrë dritën jeshile për ndërtimin e një hoteli luksoz me vlerë 1,4 miliardë dollarësh në ishullin e Sazanit. Ekonomikisht, ky është një lajm i madh për Shqipërinë. Por cili do të jetë ndikimi ekologjik? A është Shqipëria në rrugën e duhur për të mos u prekur nga të njëjtat probleme të turizmit masiv që shihen, për shembull, në Spanjë? Dhe si do të ndikojnë ndryshimet e shpejta në përvojën e përgjithshme për turistët? Ksamili, një fshat autentik jugor, rrethohej nga baret e bukura të plazhit dhe hotelet përgjatë bregdetit. Përpara se Ksamili të shndërrohej në një destinacion kryesor pushimesh, ai ishte një fshat i vogël peshkimi. Uesli Didani, përfaqësues i lajmeve “Saranda Web” shpjegoi rritjen e popullaritetit të vendit si destinacion turistik. “Përmirësimet në infrastrukturën ajrore dhe rrugore, së bashku me rritjen e fluturimeve direkte dhe raportin konkurrues cilësi-çmim të Shqipërisë e kanë bërë vendin më të aksesueshëm se kurrë”, tha Didani. “Vizitorët mund t’i përjetojnë të gjitha këto pa turma njerëzish apo çmime të larta që i gjen në destinacionet tradicionale të Mesdheut”, shtoi ai. Këto përmirësime në infrastrukturë ishin sigurisht të dukshme. Fluturova për në Korfuz, ku qëndrova disa ditë, më pas mora një traget nga qyteti i Korfuzit për në Sarandë, vetëm në bregdet nga Ksamili (nga 19 euro me “Ionian Seaways”). Gjatë rrugës për në shtëpi, rezervova një autobus nga Saranda në kryeqytet, Tiranë (15 euro me “Gjirafa Travel”), ku kalova edhe dy ditë të tjera, më pas fluturova direkt në London Stansted me “Ryanair” për 78 euro. Ajo që Didani thotë se dikur ishte një “vend i izoluar” sigurisht që tani nuk është më i tillë. Pavarësisht të kaluarës së saj të errët komuniste, situata aktuale e Shqipërisë është një hap në drejtimin e duhur – megjithatë ndikimi i rritjes së numrit të turistëve në mjedis fatkeqësisht, mund të jetë më pak pozitiv. Sipas Indeksit të Zhvillimit të Udhëtimit dhe Turizmit, në Shqipëri ekziston shqetësimi se zhvillimi i turizmit masiv mund të ndikojë në keqmenaxhimin e burimeve natyrore. Përgjigja? “Për të mbrojtur mjedisin, Shqipëria duhet të zbatojë politika të qarta për menaxhimin e mbetjeve, të promovojë energjinë e pastër dhe të mbështesë projekte që respektojnë natyrën”, tha Didani. “Turizmi masiv rrezikon të rrisë çmimet në zonat bregdetare, duke i bërë qiratë dhe shërbimet të papërballueshme”, paralajmëroi Didani. Por përfitimet nuk mund të mohohen. “Turizmi është një nga mënyrat më të mira për të nxitur ekonominë lokale”, tha Elton Caushi, pronar i operatorit turistik “Albanian Trip”, transmeton KosovaPress. “Sigurisht që ka krijuar vende pune. Në vitin 2023, udhëtimet dhe turizmi kontribuan me 25% të PBB-së së Shqipërisë dhe numri i vendeve të punës në këtë sektor është rritur me 10% që nga viti 2019”, sipas Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit. Çmimet gjithashtu mbeten të arsyeshme. Në “Mussel House” – një restorant i bukur dhe i izoluar pikërisht në ujërat e liqenit të Butrintit, midis Sarandës dhe Ksamilit – një pjatë madhështore me midhje dhe një biftek i shijshëm kushtonte vetëm 24 euro; vakti ekuivalent në Britani të Madhe do të kishte kushtuar dy herë më shumë. Duket se ka ende një atmosferë risie për pushuesit në vendin e vogël evropian, por, pas protestave evropiane kundër turizmit masiv verën e kaluar, mund të shpresohet vetëm që Shqipëria të marrë kontrollin ndaj kësaj rritjeje. Kryeministri Edi Rama, forca shtytëse e strategjisë së turizmit të vendit, duhet të sigurojë që gjithçka të bëhet në mënyrë të qëndrueshme. “Turizmi i qëndrueshëm ka të bëjë me krijimin e një situate të favorshme për të gjithë – turistët, vendasit dhe mjedisin”, tha Caushi. “Po sigurohet që ndërsa turizmi rritet, të mos dëmtohen ato gjëra që e bëjnë Shqipërinë kaq të veçantë”, shtoi ai.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025