Rastet e abuzimit të grave në sport është një dukuri tejet shqetësuese edhe në Kosovë dhe se luftimi i saj duhet luftuar e parandaluar nga mekanizmat shtetërorë.
Kështu kanë konsideruar panelistët e forumit "Fuqizimi i vajzave dhe grave për parandalimin e abuzimeve në sport" ku morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komitetit Olimpik të Kosovës, drejtues të federatave sportive dhe sportistë të ndryshëm, nën organizimin e KOK-ut.
"Qëllimi i organizimit të këtij forumi është parandalimi i rasteve të abuzimit në fushën e sportit e që do të doja të besoja që të mos ketë fare në vendin tonë. Si president i Komitetit Olimpik të Kosovës dhe në emër të bordit ekzekutiv iu shpreh mbështetjen e plotë në luftimin dhe parandalimin e abuzimit, gjithnjë nëse raste të tilla ka te ne. Ju inkurajoj që nëse hasni në abuzime të ndryshme nga trajnerët, sportistë, mjekë apo udhëheqës të klubeve t'i raportoni dhe mos heshtni pasi heshtja juaj vetëm sa i fuqizon dhe iu jep përkrahje abuzuesve", tha Krasniqi.
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, tha para të pranishmëve se klubet sportive janë familja e dytë e grave që merren me sport. Ajo përmendi tre hapa që duhet të merren urgjentisht për parandalimin e kësaj dukurie në vendin tonë.
Koordinatorja e OKB-së për zhvillim në Kosovë, Arnhild Spence, theksoi se abuzimi i grave në sport vazhdon të jetë fenomen shumë shqetësues dhe për fat të keq, zakonisht janë vajzat e reja ato që abuzohen për shkak të mos përgatitjes së tyre për të reaguar ndaj situata dhe rasteve të abuzimit
"Mendoj që posaçërisht vajzat e reja janë zakonisht të ekspozuara kur hyjnë në botën e sportit, por edhe kur marrin pjesë në aktivitete sportive në shkollë sepse mësuesi i sportit zakonisht është mashkull dhe zakonisht me vajzat e reja dhe me një mësues të rritur mund të ketë në element të intimidimit dhe abuzimit që një vajzë e re nuk do të dinte t'i përgjigjej dhe do ta vendoste në një pozitë shumë të pa lakmueshme, por i inkurajoj vajzat e reja që të jenë të vetëdijshme se çfarë e përbënë një sjellje të duhur nga një trajner mashkull apo një kolegë sportist dhe çfarë nuk është e pranueshme", theksoi Spence.
"Fatkeqësisht apo fatmirësisht, rasti nuk ka ndodhur në një ambient sportiv, ka ndodhur në një ambient plotësisht tjetër. Normalisht që ndenja ka qenë shumë e keqe. Gjëja e parë që mundohesh ta bësh është ta luftosh atë dhe mendoj se e kam luftuar edhe pse nuk e di nëse e kisha mundur më shumë ta luftoj se kaq... Rastet e tilla iu ndodhin shumicës së vajzave, nëse jo me prekje apo diçka më shumë edhe fjalë të ndryshme që ne ato nuk i dëgjojmë, sepse na ndodhin çdo ditë kur dalim në rrugë. Por mendoj se të gjitha vajzat nuk e kanë guximin të raportojnë. E di ndjenjën kur ka ndodhur rasti, gjëja e parë që më ka shkuar ndërmend ishte a do të më besojë dikush se çfarë ka ndodhur", tha Mikqi.
Në fund të këtij forumi, u tha se rekomandimet e dhëna nga të gjithë panelistët do të përfshihen në strategjinë e sportit, e cila është duke u hartuar nga MKRS-ja në bashkëpunim me KOK-un dhe federatat sportive në Kosovë.