Derisa këtë të shtunë Kosova shënon 16 vjetorin e pavarësisë së saj, sporti po konsiderohet të ketë qenë arma më e fortë në forcimin e imazhit të saj në arenën ndërkombëtare.
Sukseset kulminante të arritura në shumë gara, duke fituar medalje të arta, kanë bërë që flamuri i Kosovës të jetë mbi shumë flamuj të shteteve më të fuqishme botërore, madje edhe në vende që fare nuk e kanë njohur Kosovën.
"Medalja e Majlinda Kelmendit në Rio 2016 i ka dhënë jehonë jashtëzakonisht të madhe promovimit të vendit në arenën ndërkombëtare, përveç kësaj pastaj edhe paraqitjet tjera në shtete të cilat edhe sot e kësaj dite nuk na njohin ka arritur që të ngrihet flamuri i Kosovës, që të prezantohet Kosova tek popujt e ndryshëm”, tha Osmani.
Ndërsa, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, sporti ka bërë që Kosova të njihet botërisht për shkak të paraqitjeve mbresëlënëse të sportistëve tanë.
Përmes sukseseve të mëdha në sporte si xhudo, boks, karate e të tjera, flamuri i Kosovës është ngritur në shumë vende të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe përmes tyre shumë popuj kanë mësuar më shumë për vendin dhe popullin e Kosovës.