Spektakël golash në Ligën e Kampionëve, Reali barazon me Cityn sikurse Arsenali me Bayernin
Kanë përfunduar që të dy ndeshjet e para të fazës çerekfinale të Ligës së Kampionëve, të cilat dhuruan spektakël golash, por që në fund nuk kishte fitues në asnjërën prej tyre.
Pas më shumë se 90 minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Santiago Bernabeu”, Real Madridi ka barazuar 3:3 me Manchester Cityn, raporton KosovaPress.
Golat për kampionin evropian i shënuan Silva (minuta e 2’), Foden (minuta e 66’) dhe Gvardiol (minuta e 71’), kurse një autogol nga Dias (minuta e 12’) dhe golat nga Rodrygo (minuta e 14’) dhe Valverde (minuta e 79’) vendosën fatin e Realit në ndeshjen e sotme.
Ndërkaq, krahas kësaj përballje u zhvillua edhe derbi mes Arsenalit dhe Bayern Munichut, ku edhe në “Emirates” nuk kishte fitues.
Golat për vendasit i shënuan Saka (minuta e 12’) dhe Trossard (minuta e 76’), kurse te Bayerni golashënues ishin Gnabry (minuta e 18’) dhe Harry Kane (minuta e 32’).
Rezultatet finale:
Arsenal 2:2 Bayern Munich
Real Madrid 3:3 Manchester City