Kanë mbetur edhe pak orë që nga përfundimi i fazës së qortimit për serbët që lëvizin me automjete me targa ilegale dhe nisjes së zbatimit të fazës së dytë e cila parashe gjobë prej 150 euro për ata që nuk kanë regjistruar automjetet në RKS.
Kryeministri Kurti është nisur për në Bruksel ku pritet të ndodh takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Edhe pse mbajtja e takimit u konfirmua të premten, momenti i saktë i takimit nuk u caktua, pasi gjithçka varej nga disponueshmëria e palëve dhe aspektet logjistike.
Pavarësisht se ende nuk është bërë publike agjenda, takimi pritet të përqendrohet në uljen e tensioneve mes dy vendeve. Më 18 nëntor zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se kanë ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një takim për të gjetur zgjidhje për targat ilegale serbe.
“Ne i kemi ftuar të dyja palët me urgjencë në Bruksel për të gjetur zgjidhje evropiane, një zgjidhje evropiane për situatën aktuale, e cila është ndër më seriozet prej vitit 2013 dhe ky është qëllimi – që t’i kemi në Bruksel për të diskutuar me ta zgjidhjen”, ka thënë Stano.
Ai gjatë një interviste për KosovaPress, ka bërë të ditur se me hatër o me dhunë Serbia, do të futet nën orbitën e perëndimit, ku Kosova do të shërbejë si karem në të dyja rastet.
Sipas tij, intervenimi ushtarak i Serbisë në Kosovë do të joshet, ku pastaj NATO-ja do të intervenojë mbi Beogradin.
“Ndodhemi në prag lufte… Situata është e tillë që Serbia nuk po dorëzohet pranë kërkesave të perëndimit, po tenton që të ngelë një oazë në krejt Evropën e cila vazhdimisht vazhdon ta bëjë politikën e vet shekullore në mes të lindjes dhe perëndimit, përkatësisht Rusisë dhe perëndimit, dhe jo të jetë nën kontrollin e plotë të perëndimit me çka perëndimi veç ka arritur me kriju kufijtë e ri, prej Finlandës e Suedisë e deri në shtetet e Ballkanit perëndimor, Turqi, Gjeorgji etj, tashmë është drejt fitores edhe në Ukrainë…Serbia o me hatër o me dhunë do të futet në orbitën e perëndimit dhe Kosova këtu është karem në të dyja rastet. Me hatër, përmes marrëveshjeve politike, nënshkrimet, njohjes së Kosovës dhe raportet tjera që kanë të bëjnë lindje perëndim, ose përmes luftës ku Kosova sërish do të shërbejë si një karem, incidentet në veri do të shpeshtohen, do të joshet intervenimi i Serbisë në Kosovë dhe më pas NATO të intervenojë mbi Beogradin… Ajo (intervenimi ushtarak i Serbisë në Kosovë) mund të joshet tani sepse narativi që po krijohet se Albin Kurti nuk është duke i dëgjuar amerikanët, mund të shërbejë si një karem, dhe t’i thonë Serbisë se as ju as Albin Kurti nuk po dëshironi ta arrini marrëveshje paqësore, atëherë zgjidhni hesapet mes vete. Dhe në këtë vazhdë Serbia mund të joshet dhe të fillojë telashet nga të cilat pastaj në një moment të caktuar NATO do të fillojë intervenimin në Beograd… Nëse sot nënshkruhet një marrëveshje për tarat kjo mund ta shtyjë prapë këtë problematikë, mirëpo një marrëveshje për targat nuk do të thotë evitim i luftës”, sqaroi politologu Spahiu.
Ndryshe, që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur. Faza e parë e planit për targa përfshiu qortimin e shoferëve që ngasin makina me targa të paligjshme. Sipas këtij plani, më 21 nëntor nis faza e dytë e cila parasheh gjoba prej 150 euro, për të gjithë vozitësit e makinave me targa ilegale serbe. Plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.
Në shenjë kundërshtimi lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, nga 5 nëntor serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e këtyre komunave. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpall 18 dhjetorin datë të mbajtjes së zgjedhjeve në këto komuna të banuara me shumicë serbe.
Por, derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka nisur përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në komunat në veri të Kosovës, Lista Serbe ka thënë se kjo parti dhe qytetarët që e mbështesin atë, nuk do të jenë pjesë e këtij procesi zgjedhor.
Serbët në veri ishin bërë pjesë e institucioneve të Kosovës pas marrëveshjes së parë që kanë arritur dy vendet për normalizimin e marrëdhënieve, në vitin 2013.
Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e BE-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Pritjet janë që ato të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Por, pavarësisht disa marrëveshjeve të arritura, qëndrimet e dy palëve mbeten larg.