Sot shënohet Dita e Evropës
Lexohet për: 2 min.
1175
2 vite më parë
Linku u kopjua

Dita e Evropës, një festim vjetor i paqes dhe bashkimit në Evropë, shënohet në kohën kur Rusia ka hyrë në muajin e tretë të agresionit të saj ushtarak në Ukrainë.

9 Maji shënon përvjetorin e deklaratës historike të Schumanit. Në një fjalim në Paris, në vitin 1950, ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, ka shpalosur idenë për një formë të re të bashkëpunimit politik në Evropë. Propozimi i tij konsiderohet të jetë fillimi i asaj që tani është Bashkimi Evropian.

Kjo ditë shënohet edhe në Kosovë me një sërë aktivitetesh nga Zyra e BE-së në Prishtinë, të cilat do të fokusohen te të rinjtë, energjia e gjelbër dhe digjitalizimi.

Duke filluar nga ora 10:00, ambasadori i BE-së Tomash Szunyog dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, do të vizitojnë një grup artistësh grafiti që punojnë në muralin e Ardhmërisë së Gjelbër dhe Transformimit Digjital në rreth-rrotullimin kryesor në hyrjen jugperëndimore të qytetit.

Në ora 11:00, Szunyog dhe Rama do t’iu bashkohen përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së përpara hotelit “Grand” në një shëtitje me biçikleta dhe trotinete elektrike dhe aktivitete të tjera që promovojnë lëvizshmërinë alternative dhe të ardhshme.

Szunyog do të vizitojë mini-ekspozitën “E Ardhmja e Gjelbër” në Shtëpinë e Evropës në mesditë, dhe do të merr pjesë në koncertin hapës të Ditës së Evropës dhe Chopin PianoFest nga ora 19:00.

Në ora 20:30, BE-ja në Kosovë do të organizojë pritjen e Ditës së Evropës dhe ceremoninë e ndarjes së çmimit Evropiani i Vitit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024