Sot rihapen dyert e stadiumit “Fadil Vokrri”
Kombëtarja e Kosovës për femra ka zhvilluar dje stërvitjen e fundit para ndeshjes së sotme kundër Ukrainës. Kjo ndeshje do të zhvillohet në orën 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” i cili rikthehet ën funksion për ndeshje ndërkombëtare pas rinovimit të fushës.
Trajnerja e Kombëtares së Kosovës, Anneli Andersen, ka thënë se skuadra është e gatshme për të dhënë më të mirën dhe për ta kërkuar fitoren kundër Ukrainës.
“Shumë gjëra kanë ndodhur këto ditë dhe ne po përpiqemi të përgatitemi sa më mirë që të mundemi. Përballë kemi sfidën e vapës së madhe, por fatmirësisht kjo vlen për të dyja ekipet, kështu që do të duhet të përballemi me të. Megjithatë, ne po përpiqemi të përmirësojmë lojën dhe performancën tonë. Ky promovim në Ligën B ka qenë një sfidë shumë e vështirë për ne. Nuk kemi marrë rezultatet që dëshironim, por gjithashtu ka qenë një mësim i mirë për të ardhmen dhe çfarë duhet bërë më pas që të vazhdojmë të punojmë. Siç thashë, në këtë divizion ka vetëm ekipe të mira dhe secila prej tyre ka stilin dhe taktikën e vet, ashtu si dhe ne. Kemi bërë mirë, por nuk jemi mjaftueshëm mirë për të fituar ndeshjet siç bëmë vitin e kaluar. Kështu që po përpiqemi të përmirësojmë veten dhe të punojmë me ekipin tonë. Kemi analizuar ekipin kundërshtar. Të gjitha ekipet, Kroacia, Ukraina dhe Uellsi, duan të fitojnë grupin dhe do të vijnë shumë të përgatitura. Ne do të përpiqemi të japim më të mirën dhe të luajmë çdo pjesë të lojës”, ka thënë Andersen.