Sot Paneli i Gjykatës së Apelit do të bëjë shpalljen e aktgjykimit në çështjen ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt. Kjo pritet të ndodhë në ora 14:00.
Pas shpalljes së vendimit të shkallës së parë, ku trupi gjykues i shpalli ata fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, ata paraqitën ankesë në Apel.
Më 25 dhe 26 shtator 2020, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nikola Giju, konfirmoi aktakuzën kundër dy të akuzuarve.
Më 16 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues II. Gjykimi filloi më 7 tetor 2021. Më 10 nëntor 2021, ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave të saj. Të dy ekipet e Mbrojtjes përfunduan paraqitjen e provave të tyre më 2 shkurt 2022.