Sllovakia do të mbyllë Zyrën Ndërlidhëse në Kosovë
1-First
Lexohet për: 2 min.
sllovakia
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Sllovakia ka vendosur të mbyllë Zyrën e saj Ndërlidhëse në Kosovë. Kjo pritet të ndodhë më 31 dhjetor të këtij viti.

Sllovakia - që ruan marrëdhënie të mira me Serbinë - është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Shtetet e tjera janë Spanja, Qipro, Greqia dhe Rumania.

Pavarësisht vendimit për mbyllje, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës tha për KosovaPress se vendi është i përkushtuar që të forcojë raportet me Sllovakinë, qoftë përmes Zyrës ndërlidhëse “por edhe përmes takimeve në forume të tjera në nivel rajonal, evropian e global”.

Nga kjo ministri thanë se vendimi është pjesë e një riorganizimi të brendshëm të rrjetit diplomatik të Sllovakisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, bazuar edhe në sqarimet e këtij njoftimi, vlerëson se vendimi është pjesë e një riorganizimi të brendshëm të rrjetit diplomatik të Sllovakisë. Ristrukturimet e tilla të rrjeteve diplomatike në përputhje me objektivat strategjik dhe resurset e kufizuara janë evidente edhe në shtete të tjera. Kosova mbetet e përkushtuar për të ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet që ka zhvilluar me Sllovakinë qoftë përmes zyrës ndërlidhëse qoftë përmes takimeve në forume të tjera në nivel rajonal, evropian dhe global”, thuhet në këtë përgjigje të MPJD-së.

E sipas njoftimit të Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Prishtinë, pas mbylljes, shërbimet për qytetarë dhe raportet diplomatike do të mbahen nga ambasadat sllovake në shtetet fqinje.

“Deri më 31 dhjetor 2024, ambasadat sllovake në Danimarkë dhe Norvegji, konsullatat e përgjithshme në Krakov dhe Shën Petersburg dhe zyra ndërlidhëse në Kosovë do të mbyllen. Megjithatë, shërbimet për qytetarët sllovakë dhe marrëdhëniet diplomatike do të mbahen në kuadër të operacioneve nga ambasadat sllovake në vendet fqinje”, thuhet në njoftimin e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Prishtinë./Sh.Pajaziti

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024