Mbi 1.600 varre të zbrazëta kanë mbetur që nga lufta e fundit në Kosovë. Nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tyre, ndërkohë që familjarët jetojnë me shpresën për zbardhjen e fatit e të më të dashurve të tyre. Vitin e kaluar është gërmuar në 15 lokacione të Kosovës, por jo edhe në Serbi. As në 2023-tën nuk është dërguar në Kuvend, Ligji për Personat e Pagjetur. Familjarët kritikojnë institucionet për mos përmbushjen e premtimeve. Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu shprehet optimiste se një gjë e tillë do të ndodhë gjatë vitit.
“Nuk kemi besim më në fjalë të thata”, thotë për KosovaPress, Bajram Qerkinaj, nga shoqata “Zëri i Prindërve”. Ai shprehet i zhgënjyer me institucionet dhe punën që është bërë vitin e kaluar për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Ligji për Personat e Pagjetur ka qenë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ndërkaq tashmë në kompetencë të Zyrës së Kryeministrit.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë për KosovaPress, se ka pasur shumë diskutime e takime me familjarët e personave të zhdukur.
Në Kosovë është gërmuar në çdo katër kilometër katror, shton Hoti teksa shprehet se fokusi është në varrezat masive në Serbi.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur thekson se vitin e kaluar janë rikthyer edhe në Shtavall të Serbisë.
Ani pse Serbia nuk jep informacione për varrezat masive, familjarët kërkojnë nga institucionet vendore zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
Kosova vazhdon t’i kërkojë edhe mbi 1.600 persona të zhdukur me forcë nga policia e ushtria gjenocidiale serbe gjatë luftës së fundit në vendin tonë.