Fondacioni Jahjaga sot ka inauguruar skanerin SPECT/PET/CT në vlerë 1.5 milionë euro në Klinikën e Mjekësisë Nukleare, një teknologji e para këtij lloji në SHSKUK që do të ndryshojë jetën e pacientëve dhe familjeve të tyre. Kreu i këtij fondacioni, Atifete Jahjaga, tha se kjo arritje, e cila sipas saj nuk është e para dhe as e fundit, është mundësuar falë bashkëpunimit të jashtëzakonshëm me Fondacionin Filantropik Alwaleed në Riad të Arabisë Saudite, të udhëhequr nga princi Alwaleed Bin Talal AlSaud.
“Jam e bindur se ky është vetëm fillimi i shumë arritjeve të tjera që do të realizojmë së bashku. Së bashku për një të ardhme më të shëndetshme dhe më të lumtur për të gjithë qytetarët tanë. Gjithmonë përpara, për një Kosovë më të mirë për të jetuar”, ka shkruar Jahjaga në Facebook. Ndryshe, për vite me radhë, qytetarët e Kosovës kanë udhëtuar jashtë shtetit për diagnostikimet e nevojshme, por nga sot kjo nuk do të jetë e nevojshme, pasi ky shërbim do të kryhet në pragun e shtëpisë së çdo qytetari në nevojë, duke ulur kostot dhe përmirësuar ndjeshëm cilësinë e kujdesit shëndetësor.